Burg për Aldo Hoxhën, 20 vjeçari mohon vrasjen në Gjykatë
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për të dyshuarin kryesor për vrasjen e Fatbardha Tafës pasditen e 7 gushtit, tek ish- fusha e Aviacionit, 20 vjecarin Aldo Hoxha.
Masa e sigurisë është shqiptuar nga gjyqtari Neritan Cena. Seanca gjyqësore ndonëse ishte parashikuar për tu mbajtur rreth orës 10.00 është shtyrë për disa minuta, për të filluar në orën 10:45 me kërkesë të Avokatit mbrojtës Arben Qeleshi, me arsyetimin për njohjen me dosjen e klientit të tij.
Ndërkaq gjatë seancës gjyqësore Prokurori Blerim Tominaj kërkoi “ burg pa afat” për 20 vjecarin, ndërsa nga ana tjetër vetë Aldo Hoxha nuk pranoi se ka kryer krimin, duke kërkuar ballafaqim me familjarët e Fatbardha Tafës. Ndërsa avokati i 20 vjecarit, Arben Qeleshi ka kërkuar “burg me afat” për klientin e tij, pasi sipas tij nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e implikojnë klientin e tij lidhur me vrasjen.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Tiranës Aldo Hoxha është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Fatbardha Tafa pasi ai është identifikuar jo vetëm nga njollat e gjakut të gjetura në kapelen e tij, por edhe nga dëshmia e të dëmtuarës Lumturie Gjana, e cila të shtunën në mesditë është paraqitur për njohje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
37-vjeçarja që ka mbetur e plagosur gjatë sulmit me thikë tek ish-Fusha e Aviacionit ka konfirmuar për policinë se personi i ndaluar ngjasonte shumë me njeriun që i kishte vrarë motrën dhe plagosur atë me thikë. Nisur nga kjo situatë, efektivët e policisë arrestuan me 11 gusht 20-vjeçarin Aldo Hoxha, duke i komunikuar atij akuzën e "Vrasjes me dashje", "Grabitje me dhunë" dhe "Plagosjes së lehtë me dashje".