E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për fishekë kinezë

Një tregtar i ri armësh, kompania e të cilit dikur mburrej me një kontratë të fituar nga Pentagoni në vlerë prej 300,000 dollarësh, u dënua të hënën me katër vjet burg. Kjo, për shkak të synimit për transportimin e miliona fishekëve të ndaluar kinez për forcat afgane, që luftojnë përkrahë ushtarëve amerikanë. Nga Express më 05 janar 2011 në ora 20:31

Pas deklarimit fajtor në vitin 2009 për akuzën e mashtrimit, gjykatësja e qarkut në Miami, Joan Lenard, ia shqiptoi dënimin me katër vjet burg 25-vjeçarit Efraim Diveroli - edhe pse ky po përballej me një dënim maksimal prej pesë vjet prapa grilave. Tre drejtuesit tjerë të kompanisë së Deiverolit, AEY, janë në pritje të dënimeve.

Si lehtësi, Lenard mori pranimin përgjegjësisë për krim nga ana e Diverolit, megjithëse theksoi se ai meritonte një masë të ashpër burgimi për shkak se skema e tij mund të kishte rrezikuar personelin ushtarak të SHBA dhe aleatët afganë. Kjo, ngase pjesa më e madhe e municionit ishte disa dekada i vjetër dhe mund të ketë qenë i papërdorshëm.

"Pjesëmarrja në një mashtrim të tillë, vetëm për para, përderisa njerëzit e rrezikojnë jetën e tyre, e bën këtë gjë edhe më të dhembshme", tha Lenard sallën e mbushur me anëtarë të familjes Diveroli dhe me mbështetës nga komuniteti i fuqishëm çifut i Miami Beach, përfshirë këtu edhe dy rabinë.
"Z. Diveroli mund edhe të ketë qenë i zgjuar, por jo edhe i mençur", vazhdoi Lenard.

Diveroli ndërkaq tha se pasuria e papritur që ia mundësoi kontrata e majme në një moshë tejet të re të shijojë dhe "kohët e mira" që i gëzoi, dolën të kenë qenë të rreme.
"Ajo kurrë nuk mund të vlejë sa vuajtjet që i duruam unë dhe familja ime për shkak të veprimeve të mia", tha ai.
Lenard po ashtu ia shqiptoi edhe një gjobë prej 250,000 dollarësh, ndërkaq urdhëroi Diverolin dhe të bashkë-pandehurit që t’i paguajnë mbi 149,000 dollarë dëmshpërblim qeverisë.
Kontrata e Pentagonit me AEY, e dhënë në vitin 2007, në mënyrë specifike ndalon municionin e Kinës komuniste. Por, sipas dokumenteve të gjykatës, Diveroli dhe të tjerët thjesht e ripaketuan municionin kinez - kryesisht të kalibrit 7.62 mm, që përdoret në pushkët si AK47 - kështu që ai dukej si të kishte origjinë nga Shqipëria.
Siç tregojnë dokumentet e gjykatës, ndërmjet qershorit dhe tetorit të vitit 2007 në Afganistan, përmes 35 dërgesave, u dërguan rreth 90 milionë fishekë, sqaroi gjykatësja. Për këtë shërbim, Pentagoni i pagoi AEY më shumë se 10.3 milionë dollarë.
Departamenti i Mbrojtjes e pezulloi kontratën në maj 2008 - ndërkohë që Diveroli dhe të tjerët ishin objekt i një hetimi federal – dhe përmbylli një kontratë të re me një kompani tjetër, me një kosto që taksapaguesve u kushtoi rreth 40,000 dollarë.
Në këmbim me pranimin e fajësisë Diveroli për konspiracion, prokurorët i hoqën 84 akuza tjera kundër tij.
Megjithatë, problemet e tij me ligjin nuk përfunduan me kaq.
Përderisa ishte liruar me kusht, në pritje të dënimit për ‘Rastin Miami’, në gusht të këtij viti Diveroli ishte arrestuar nga agjentët e Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve në Orlando. Meqë ishte një kriminel i dënuar, ai menjëherë u akuzua për posedim të armëve.
Prokurorët e rastit tregojnë se Diveroli ishte përpjekur të ndërmjetësonte një marrëveshje tjetër të madhe me armë dhe municion, pavarësisht se nuk e posedonte më leje për një gjë të tillë, dhe pavarësisht dënimit në Miami. Sipas dokumenteve të gjykatës, pas deklarimit fajtor, Diveroli asokohe i ishin konfiskuar disa revole të kalibrit 9mm dhe të paktën dy pushkë gjysmë-automatike.
Gjatë një thirrjeje telefonike, që ishte incizuar fshehtazi nga agjentët e ATF, Diveroli i tha një agjenti sekret - që ishte prezantuar si blerës potencial i armëve - se, pavarësisht problemeve të tij ligjore, "vazhdimisht i kthehet këtij aktiviteti".
"Njëherë kontrabandist, gjithmonë kontrabandist”, citohet në dokumentet e gjykatës të ketë thënë Diveroli me atë rast.
Seanca lidhur me ‘Rastin Orlando’ është caktuar për datën 25 janar. Diveroli atëherë mund të dënohet edhe me 10 vjet burg shtesë, ndonëse ka gjasa që të dënohet me më pak se kaq.
(AP)

Partnerët shqiptarë të Diverollit, ministra

Duke iu referuar dënimit të Efraim Diverolit, që sipas PS’së ishte një partner biznesi që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit, deputeti i PS, Sajmir Tahiri, deklaroi se autorët shqiptarë të kësaj afere, jo vetëm që nuk po dënohen por janë ministra.
"Partneri i biznesit që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit, u dënua nga një gjykatë amerikane, ndërkohë që autorët shqiptarë të tragjedisë - që trafikoi armë e fishekë, hodhi në erë një fshat të tërë dhe la mbi 26 viktima - jo vetëm që nuk po dënohen, por mbahen ministra nga Sali Berisha dhe familja korruptive që ai drejton", theksoi ai.
Sipas Tahirit ky nuk është standard evropian, por standard i një qeverie që vjedh votat për të vjedhur Shqipërinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›