Bregu: Rama nuk e do integrimin e shqiptarëve
Qeveria shqiptare thotë se do të bëjë maksimumin në realizimin e reformave për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministrja e Integrimit në Qeverinë e Shqipërisë, Majlinda Bregu deklaroi se një nga kriteret kryesore të KE-së është organizimi i zgjedhjeve konform standardeve demokratike.
Ajo deklaroi se qeveria do të përmbushë të gjitha angazhimet për të realizuar një proces të tillë, njofton agjencia e lajmeve INA.
“Ashtu siç ndodhi në vitin 2009 kur shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat u bë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare edhe këtë herë hapja e negociatave do të bëhet vetëm nëse zgjedhjet lokale të 8 Majit, përmbushin standardet e kërkuara, të cilat mbeten kushtet më të rëndësishme për të marrë një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian”, deklaroi ministrja Bregu.
Në kontekstin e këtyre zgjedhjeve, opozita mund të vijojë të mos japë konsensusin e saj për reformat që kërkon Bashkimi Evropian në progres- opionin për Shqipërinë, për shkak të qëllimeve të saj politike, por ky refuzim sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, do të ketë përballë vendosmërinë e qeverisë për të dëshmuar para autoriteteve të BE-së se gjithçka qeveria ka në dorë do t’i përgjigjet në plan- veprimin e saj problematikës që u ngrit në raportin e 9 nëntorit.
Por si ministre e Integrimit dhe pas një viti të lodhshëm politik, Bregu e ka të pamundur të japë një parashikim për fatin e atyre rekomandimeve për miratimin e një sërë ligjesh që domosdoshmërisht kërkojnë votat e opozitës.
Sipas zonjës Bregu, lojën e socialistëve po e luan një antishqiptar, siç e quan ajo Edi Ramën, për të cilin thotë se ka dhënë prova të mjaftueshme se nuk e do integrimin e shqiptareve. Ministrja Bregu deklaron se qeveria në çdo hallkë të saj po punon me të njëjtën frymë si ajo për pyetësorin e Bashkimit Evropian për të evidentuar e për t’i dhënë përgjigje çdo problematike që raporti ngre. (INA)