“Brezi Facebook” kundër Orbanit

Attila Mong e ka çdo mëngjes pushim. Pak para orës 09.00 ai ulet për të pirë kafe në hotel “Astoria” në Budapest. Ndërsa pret t’i vijë porosia, dëgjon tingujt e një emisioni radiofonik në sfond. Programi quhet “80 minuta”. Attila ka qenë prezantuesi i tij deri para pak kohe, por tani ky gazetar me përvojë dhe me një sërë çmimesh për karrierën e tij është ndaluar që të drejtojë emisione radiofonike, sepse më 21 dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në emisionin që drejtonte, mbajti 1 minutë heshtje në shenjë proteste ndaj ligjit të ri mediatik që u miratua nga parlamenti i vendit të tij.
Ky ligj prej 175 faqesh, tërësisht represiv, ka hyrë në fuqi më 1 janar. Sot, stacioni radiofonik që transmeton emisionin në fjalë do të vendosë për fatin e gazetarit dhe drejtorit të tij, të dy të pezulluar për të njëjtën arsye, pra për veprimin e datës 21 dhjetor. Edhe pse ata janë pezulluar nga të gjitha detyrat, u është njoftuar që të jenë në pritje të vendimit përfundimtar. Sipas gazetarit Mong, një grup i “Facebookut” është ngritur tashmë dhe njerëzit që janë pjesë e tij do të organizojnë një tubim proteste me qirinj në duar jashtë godinës së stacionit radiofonik. Mong vetë e mohon që është një martir i sakrifikuar në altarin e lirisë së shtypit. Ai është shumë modest dhe thotë se bëri atë që ndjeu. “Unë u kam shkruar mbështetësve të mi dhe u kam thënë se jam ende gjallë dhe nuk dua që të ndezin qirinj për mua. U kam thënë se protesta e tyre duhet që të drejtohet dhe të jetë kundër ligjit të medies, që sapo ka hyrë në fuqi.”
Sipas këtij ligji, ka 228 paragrafë dhe në to përfshihen dispozita edhe për Autoritetin Kombëtar të Medies dhe Komunikimit, një organizëm mbikëqyrës ky, i cili ka detyrë, sipas ligjit të ri, që të monitorojë transmetimet televizive “të dyshimta” si në medien private, ashtu edhe në atë shtetërore. Kryetari i ri i organizmit në fjalë, i cili është caktuar në këtë detyrë me një mandat 9-vjeçar, ka në dorë faturimin e gjobave ndaj shkelësve të ligjit. Bëhet fjalë për gjoba rrënuese, që me akuzën e “raportimeve politikisht të pabalancuara” mund të shkojnë nga 119 mijë euro deri në 950 mijë euro për organ mediatik. Për më tepër, gazetarët hungarezë do të detyrohen që sot e tutje të tregojnë burimin e tyre, nëse do të gjykohet nga autoriteti përkatës se është vënë në rrezik siguria kombëtare.
Hungaria në këtë fillim-viti ka marrë drejtimin 6-mujor të Bashkimit Evropian. Pra, përgjatë kësaj periudhe kohore, kryeministri i vendit, Orban, do të jetë de facto Kryeministri i Evropës dhe në këtë pozicion ai do të vëzhgohet me shumë kujdes nga të gjitha vendet anëtare. Dënimi ndërkombëtar që ka marrë ligji i medieve i nxitur prej tij, ka bërë që parashikimet për vlerësimin e punës së këtij Kryeministri në krye të BE-së të mos jenë fort të mira.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, vuri në pikëpyetje, në fund të vitit të kaluar, edhe vetë aktin e marrjes së Presidencës nga Orban, pasi, sipas tij, një kryeministër i tillë mund të mos jetë i përshtatshëm për drejtimin e një organizmi të lirë si BE-ja. Historiani, Michael Sturmer, në një intervistë që ka dhënë për medien gjermane, e ka quajtur shtetin e Orban “Fuhrer State”, duke tërhequr një paralele mes shtetit të Kryeministrit hungarez dhe Partisë Naziste në vitin 1933.
Ndërkohë, partia e kryeministrit, Fidesz, ka dy të tretat në Parlament dhe në këto kushte mund të bëjë edhe ndryshime kushtetuese sipas dëshirës. Në Hungari gruaja që quhet si “caresha e medies” është 49-vjeçarja Annamaria Szalai. Ish-mësuesja e muzikës në një shkollë fillore dhe një nga besniket e devotshme të partisë në pushtet, tani ka një barrë të rëndë mbi shpatulla. Kjo ndoshta është edhe arsyeja e zhdukjes së saj. “Ndoshta është me pushime. Nuk di çfarë t’ju them”, u thotë gazetarëve zëdhënësja e saj, kur e pyesin për vendndodhjen e shefes.
Ndërkohë, zëvendësi i saj thotë se Annamaria është sëmurë në shtrat. “Edhe unë nuk mund ta kap as në telefon”, deklaron ai. Shumë vite para se Annamaria të bëhej autoriteti më i fuqishëm mediatik në vend, së bashku me partnerin e saj në biznes, Josef Hantos, publikuan për njëfarë kohe një revistë seksi të quajtur “Miami Press”. Ishte një revistë në faqet e së cilës pasqyroheshin foto erotike dhe “të nxehta” të grave hungareze. “Në atë kohë ne nuk e dinim se çfarë do të ndodhte”, thotë Hantos për atë eksperiment të viteve të para pas rrëzimit të sistemit komunist në vend.
Ai bënte fotot e femrave, ndërsa Annamaria shkruante artikujt dhe ishte kryeredaktorja. Por ai vetë e mohon faktin se ajo ishte një revistë pornografike, duke këmbëngulur se bëhej fjalë vetëm për një “eksperiment rinor”. Ndërkohë Hantos mendon se partnerja e tij është personi i duhur për të mbrojtur 10 milionë banorët e vendit nga çdo lloj forme racizmi dhe korrupsioni, por edhe nga manipulimet e mundshme që bën media e pavarur me produktet e saj mediatike. “Annamaria është një grua e fortë, ka një personalitet të hekurt dhe është tepër besnike dhe e ndershme”, thotë Hantos.
Megjithatë pëshpërimat për shefen e re të censurës vazhdojnë, ndërsa sytë e të gjithë Evropës këtë 6-mujor do të jenë të përqendruar në Budapest. Qyteti ndahet në dy pjesë nga lumi Danub dhe është një simbol i ndarjes së vazhdueshme që ekziston në shoqërinë hungareze mes së majtës dhe së djathtës, mes miqve dhe armiqve. Të dyja palët janë kundërshtare dhe dyshojnë në mënyrë të vazhdueshme ndaj njëra-tjetrës. Inkriminimet “tregtohen” si në kohën famëkeqe të komunizmit. Gazetarët disidentë përndiqen dhe dhunohen, ndërkohë që ka të tjerë të cilët përpiqen të hiqen sa më patriotë të jetë e mundur.
Viktor Orban u zgjodh kryeministër i vendit në fund të majit të vitit 2010. Ai ka qenë një aktivist i opozitës liberale gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Që nga ajo kohë, Orban është transformuar në një politikan të fuqishëm, që përfaqëson tashmë aparatin shtetëror. Revolucioni i tij konservativ, të cilin ai e quan si “vullnet të popullit”, është farkëtuar në gërmadhat që la pas menaxhimi shumë i keq që i bëri vendit dhe kryesisht ekonomisë së tij kasta e trashëgimtarëve të Partisë Socialiste të Popullit.
“Nëse socialistët do të vinin në pushtet, ata do të vazhdonin aty ku e lanë dhe situata nuk do të ishte ajo më e mira në vend”, thotë liberali Laszlo Majtenyi, i cili ka drejtuar organizmin mbikëqyrës e kombëtar të medieve deri një vit më parë. Ai dha dorëheqjen nga ai post kur u bë e qartë se qeveria e atëhershme socialiste po krijonte lidhje të fshehta me opozitën e Orbanit. Majtenyi thotë se do të ishte gabim po të fajësohej qeveria aktuale në lidhje me gjithë problemet që po kalon sot vendi.
“Edhe sistemi i mëparshëm ishte tërësisht i korruptuar. Tani është më keq, veçse në një tjetër mënyrë. Ligji i ri i medies është i mbushur me sulme frontale ndaj të drejtave themelore të lirisë së shtypit”, thotë ai. Por fakti që Evropa vetëm tani është duke shprehur tronditjen e saj ndaj këtij ligji, tregon se sa pak e rëndësishme ka qenë ajo gjatë gjithë kohës përgatitore të ligjit. Në fakt asgjë nga ajo që po ndodh tani në Hungari nuk është një “befasi”. Kryeministri i djathtë Orban ka vepruar i lirë dhe pa i hyrë gjemb në këmbë për shumë kohë. Ai nuk është qortuar gjatë kësaj kohe as edhe për një herë të vetme nga homologët e tij të së djathtës evropiane, si Merkel e Gjermanisë, Barrozo i Bashkimit Evropian, e të tjerë liderë të fuqishëm që kanë preferuar të heshtnin. Orban pa më të voglën frikë ka përgjysmuar të drejtat e Gjykatës Kushtetuese, ka vënë në dyshim pavarësinë e bankës qendrore të vendit dhe ka vendosur njerëzit e tij shumë të afërt dhe të besuar në postet e larta të kulturës e të shkencës, si dhe në prokurori.
Hungarezët kanë probleme të ekzistencës së përditshme dhe kjo ua ka topitur mendjen. Megjithatë ka nga ata që bëjnë rezistencë edhe në kushte të tilla, edhe në lagje të varfra. Gabor Simonovits ka një mjekër mesatare, mban syze dhe në xhepin e xhupit ka një shishe “Fanta”. Ai është një student i ekonomikut dhe një nga kundërshtarët e zellshëm të kryeministrit aktual, si dhe një anëtar i brezit të “Facebook”.
“Unë nuk mendoj se Orban do të arrijë që të na kthejë pas në epokën e Gurit”, thotë djaloshi, “nuk mendoj as se duhet që të dridhemi para censorëve. E megjithatë mendoj se kjo është një situatë shumë serioze”. Pak ditë para Krishtlindjeve, ai së bashku me dhjetëra të rinj të tjerë, organizuan një demonstratë para godinës së Parlamentit në Budapest. Disa kishin vendosur ngjitëse në gojët e tyre si simbol i censurës së fjalës dhe medies së lirë, të tjerë kishin lidhur gjymtyrët me litarë.
Fotot e kësaj demonstrate u përhapën në të gjithë botën dhe ajo që ishte e trishtueshme, ishte fakti që në 10 milionë hungarezë, vetëm 1500 prej tyre dolën që të protestonin ndaj shkeljeve të rënda që po i bëhen lirisë së medies në vend. “Ne nuk patëm as një podium dhe për të folur u detyruam që të merrnim arka birre nga një lokal aty pranë”, thotë një tjetër student që mori pjesë në demonstratë. Sipas tij, të rinjtë e vendit duan që të kenë sa më pak të bëjnë me partitë politike, për të cilat nuk kanë asnjë konsideratë. (Der Spiegel)