Kroacia kërcënohet me bllokadë
Në vitin 2007 Bashkimi Evropian miratoi mekanizmat specialë për Rumaninë dhe Bullgarinë, përmes të cilave këto dy shtete duhet luftuar korrupsionin. Për Kroacinë u tha se kjo nuk është e nevojshme. Por Rumania nuk mendon kështu.
Pasi që mënjanoi bllokadën sllovene, në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE Kroacia po përballet me një bllokadë tjetër, kësaj radhe nga Rumania. Arsyeja nuk është e natyrës bilaterale, por frustrimi i Bukureshtit me vendimin e Francës dhe Gjermanisë që Bullgarisë dhe Rumanisë t’i shtyhet pranimi në Zonën Schengen për lëvizje të lirë, si dhe fakti i pakëndshëm se Kroacia si anëtare e re do të ishte shumë më gatshme për anëtarësim në këtë zonë se Rumania, dhe atë pa pasur nevojë që t’i imponoheshin mekanizmat e verifikimit dhe bashkëpunimit – që tash katër vjet vlejnë për dy shtetet më të reja anëtare të Unionit.
Gazeta kroate ‘Jutranji List’ qysh para një viti ka shkruar se Rumania dhe Bullgaria po sugjeronin në mënyrë diskrete se, do të ishte mirë që edhe Kroacisë si kusht për anëtarësim në BE t’i imponohet mekanizmi i bashkëpunimit dhe verifikimit. Asokohe, diplomatët e këtyre shteteve tentuan që t’i demantonin këto pohime, megjithëse deklaronin se qëndrimi i tyre zyrtar ishte se e përkrahin anëtarësimin e Kroacisë në BE.
Mirëpo, ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Baconschi, tani e konfirmoi edhe publikisht synimin e qeverisë së tij që të kërkojë implementimin e këtij mekanizmi edhe për Kroacinë. Në një intervistë për gazetën rumune ‘Adevarul’, ai deklaroi se, kur është fjala për Kroacinë, edhe pse Rumani e përkrahë zgjerimin e BE’së në Ballkanin perëndimor, “ne nuk mund ta pranojmë anëtarësimin në BE pa mekanizmin e bashkëpunimit dhe verifikimit, nëse ai vlen edhe për ne”.
Komisioni Evropian dhe bashkëbisedues të shumtë nga BE, disa herë nënvizuan për ‘Jutarnji List’ se përdorimi i këtyre mekanizmave nuk vjen në konsiderim për Kroacinë. Këtë gjatë një interviste për ‘Jutarnji List’ e konfirmoi edhe vetë komisionari i BE’së për Zgjerim, Stefan Füle, i cili vazhdimisht pohon se negociatat me Kroacinë duhet të përfundojnë në atë mënyrë që të mos ketë asnjë nevojë për implementimin e mekanizmave të bashkëpunimit dhe verifikimit.
Në vitin 2007 BE i miratoi këta mekanizma vetëm për Rumaninë dhe Bullgarinë, në mënyrë që këto dy shtete t’i shtyjë që - edhe pas anëtarësimit të tyre në Union – të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas vendimit të BE, vetëm pasi të konstatohet se të dy vendet i kanë përmbushur standardet e BE’së në fushat e sundimit të ligjit dhe punëve të brendshme, këta mekanizma do të pezullohen.