Sarkozy të hënën takohet me Obamën
Presidenti amerikan, Barack Obama do të takohet të hënën Washington me homologun e tij francez, Nicolas Sarkozy. Franca është kryesuesja e radhës e G8 dhe G20 dhe Sarkozy pritet të diskutojë një çështje kyçe që synon ta realizojë gjatë mandatit: ristrukturimin e sistemit monetar të botës.
Sarkozy nuk e ka mbajtur të fshehtë synimin e tij që të fillojë dialogun për reformimin e sistemit valutor të botës. Ai i paraqiti qëllimet e tij në vija të përgjithshme para një viti në Forumin Ekonomik Botëror, ngjarje vjetore në Zvicër, ku marrin pjesë vendet e pasura dhe të fuqishme.
Ideja e përgjithshme është që të zgjerohet sistemi monetar në mënyrë që dollari amerikan të mos jetë më valuta kryesore e rezervave. Kjo do të pasqyronte, siç argumentohet, realitetin e ri të një bote shumëpolëshe dhe ngritjen e fuqive të reja si Kina. Sarkozy pritet të përfshijë idenë në një fjalim më vonë këtë muaj, që do të paraqesë në hollësi qëllimet e udhëheqjes franceze të klubeve G8 dhe G20.
Hera e fundit që u takuan udhëheqësit amerikanë dhe francezë ishte në takimin e lartë të NATO-s në Lisbonë, në muajin nëntor.