Burg për kurdisje

Udhëheqësit e bandës për skandalin e gjerë të basteve në futbollin evropian janë dënuar me pesë vjet e gjysmë burg, pas shqiptimit të vendimit të gjykatës në Bochum.
Kroati Ante Sapina dhe bashkëpunëtori i tij kryesor, Marijo Cvrtak ishin liderë të bandës që korruptoi futbollistë dhe zyrtarë të ndeshjeve në shtete të ndryshme evropiane duke ndikuar në rezultat të takimeve ndaj të cilave ata kishin vënë baste të mëdha. Gjatë gjashtë muajve të gjykimit, të akuzuarit kishin pranuar manipulimin e rreth 50 ndeshjeve në mbarë Evropën, duke përfshirë një ndeshje të profilit më të ulët në Ligën e Kampionëve, një takimi të vlefshëm për kualifikim në Kampionatin botëror, ndeshje nga Europa League dhe ligat shtetërore në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë, Turqi, Hungari, Slloveni dhe Kroaci.
Një bashkëpunëtor i tyre, Dragan Mihelic nga Sllovenia është dënuar me 18 muaj burgim. Sipas gjykatave gjermane, Sapina përfitoi 2.4 milionë euro duke vënë baste në ndeshje të cilave ai ua dinte rezultatin. Prej arrestimit të tij, Sapina ka shërbyer 17 muaj në arrestim, ndërsa Marijo Cvrtak ka shërbyer 18 muaj në burg.
Muajin e kaluar, tre anëtarë të tjerë të bandës u dënuan me burg për periudha mes tri viteve dhe 11 muajve për përfshirjen e tyre në skandalin që konsiderohet si më i madhi në histori të futbollit. Sapina më parë ishte shpallur fajtor për përfshirjen e tij në një rast të ngjashëm të kurdisjeve të ndeshjeve me gjyqtarin gjerman, Robert Hoyzer më 2009 dhe u dënua me 35 muaj në burgim. Duke shqiptuar dënimin ndaj Sapinës dhe bashkëpunëtorëve të tij, Gjyqtari Wolfgang Mittrup ka se ata kishin “shkatërruar turpshëm entuziazmin e shumë tifozëve”.
Gjatë dëshmive, gjykata dëgjoi se si ndeshja e Grupit E në Ligën e Kampionëve mes skuadrës hungareze, Debreceni dhe ekipit italian Fiorentina, në tetor 2009, ishte njëra prej përballjeve të kurdisura nga banda.
Ndeshja përfundoi me fitore 3-2 për Fiorentinën, ndërsa takimi i fushatës kualifikuese për Kampionatin botëror 2010 mes Lihtenshtajnit dhe Finlandës, më 2009, po ashtu është përmendur në gjyq si rast i prekur. Katër ndeshje në Europa League po ashtu ishin manipuluar si dhe përballje nga ligat të ndryshme evropiane.
Dy javë më parë, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter njoftoi se Federata Botërore e Futbollit së bashku me Interpolin ka investuar 20 milionë euro në programin antikorrupsion që përfshin krijimin e një qendre monitoruese në Singapor.