Kanceri e ndryshoi
Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal ka pranuar se prioritetet e tij kanë ndryshuar pas diagnostikimit me kancer në mëlçi, në mars. Francezi u operua dhe dy ditë më pas iu hoq tumori para se të kthehet dhe të inkuadrohet si rezervist në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Ai bëri paraqitjen e tij të parë si titullar pas operacionit më 11 maj, kur Barcelona siguroi titullin e tyre të tretë të njëpasnjëshëm në La Liga në Levante dhe tani është kandidat për të qenë pjesë e formacionit bazë për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit më 28 maj në stadiumin Wembley. Abidal tha se kanceri e bëri të ndryshojë dhe ai mendoi se karriera e tij mund të përfundojë.
“Mendova se nuk do të mund të luaj përsëri. Ishte brenda një periudhe të shkurtër kohore, kur mjekët vërejtën tumorin dhe ju menjëherë mendoni për më të keqen dhe kjo ka qenë gjëja e parë për çka kam pyetur mjekët. Ky sezon ka qenë shumë i vështirë, por në fund gjërat përfunduan mirë”, tha 31-vjeçari.
“E shoh jetën më ndryshe. Shumë gjëra që mendoni se janë të dobishme nuk janë më. Për këtë arsye i kam shitur të gjitha veturat që kisha. Kur vuani nga një problem si imi, të gjitha veturat nuk ju shërbejnë për asgjë. Për këtë arsye, i kam shitur të gjitha dhe paratë do të shkojnë për luftimin e sëmundjeve të disa asociacione me të cilët kam pasur kontakt”, u shpreh ai.
Rikthimi i Abidalit në ekipin e Barcelonës ishte përmendur nga trajneri Pep Guardiola, si ngjarja më e rëndësishme gjatë këtij sezoni, pavarësisht faktit se klubi fitoi titullin e tyre të tretë të njëpasnjëshëm në La Liga.
Por, nëse Guardiola do të shfrytëzojë Abidalin kundër Manchester Unitedit, kjo mbetet të shihet, ndërsa mbrojtësi ka insistuar se ekipi dhe shpresat e tyre për fitore janë më të rëndësishme se aktivizimi i tij i mundshëm. “Nuk kam luajtur në disa finale dhe mund të mos luaj as në këtë të ardhshmen, por gjithmonë them se ekipi është gjëja më e rëndësishme. Fitorja u takon të gjithëve, sepse në Ligën e Kampionëve janë shumë ndeshje dhe shumë futbollistë kanë rastin të marrin pjesë. Fitorja u takon të gjithëve. Kam këtë mentalitet dhe kurrë nuk do ta ndryshoj”, përfundoi Abidal.