Kahn kritikon Bayernin

Ish-portieri i Bayern Munichut, Oliver Kahm ka kritikuar klubin për interesimin e tyre për portierin e Schalke 04, Manuel Neuer dhe emërimin e Jupp Heynckesit. Bayern është i gatshëm të shpenzojë rreth 20 milionë euro për Neuerin, i cili konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë të rinj në Evropë, por Kahn ka reaguar ashpër ndaj kësaj, meqë beson se klubi duhet të presë derisa ai të jetë futbollist i lirë pas një viti. “Ata do të angazhojnë një portier shumë të mirë, por të paguajnë një shumë të tillë për një futbollist, i cili do të jetë i lirë më 2012, është e tepruar”, tha Kahm për të përditshmen gjermane, Bild. Kahn po ashtu kritikoi ish-klubin e tij për emërimin e 66-vjeçarit, ish-trajnerit të Bayer Leverkusenit, Heynckes në vend të holandezit Louis van Gaal. “Nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Cili është mendimi rreth kësaj? Ku është filozofia e vërtetë? Me çfarë kriteresh ata sjellin futbollistë të rinj? Vazhdimësia në pozitën e trajnerit është baza për sukses. Shembulli i Barcelonës tregon se duhet të mendojmë në afat të gjatë”, theksoi ai. Kahn, i cili është në proces të pajisjes me licencë të trajnerit, bëri një kritikë me humor ndaj rivalit të tij të vjetër, Jens Lehmann. “Ne mund të jemi një super ekip, unë si trajner dhe Jens si asistent. Edhe pse dyshoj se ai do të donte që të ishte e kundërta”, përfundoi Kahn.