Hallakamë në Drenicë
Drenica po ballafaqohet me probleme të brendshme, pikërisht në kohën kur kjo skuadër ka nevojë të madhe për t’u mobilizuar që të sigurojë mbijetesën në Superligë.
Futbollistët e ekipit nga Skenderaj, ditëve të fundit nuk kanë stërvitur fare, në shenjë pakënaqësie me faktin se tash e një kohë të gjatë nuk kanë marrë fare paga nga kryesia e klubit.
Kuqezinjtë të shtunën i pret një sfidë shumë e rëndësishme në luftën e tyre për mbijetesë, pasi në shtëpi duhet ta presin ekipin tjetër të rrezikuar, Ferizajn.
Mirëpo, lojtarët janë dakorduar mes veti që mos ta zhvillojnë fare këtë takim, nëse deri të shtunën paradite zyrtarët e klubit nuk i fshijnë borxhet ndaj tyre.
“Nuk kemi marrë rroga qe katër muaj. Madje, edhe prej sezonit vjeshtor na kanë mbetur nga pak borxh. Prandaj, qe një javë i kemi bojkotuar stërvitjet”, tregoi për Express një futbollist i Drenicës, i cili deshi të mbetet anonim.
“Ne lojtarët e ekipit të parë kemi vendosur që mos ta zhvillojmë ndeshjen ndaj Ferizajt, nëse nuk na jepen rrogat para lojës. Pra, ne nuk do të luajmë. Por mund të ndodhë që Drenica ta zhvillojë këtë ndeshje me lojtarët e ekipit junior. Ne luajmë vetëm nëse na jepen rrogat”, shpjegoi ai.
Këtë e konfirmon edhe kryetrajneri i kësaj skuadre, Tahir Lushtaku, i cili megjithatë shpreson që djelmoshat e tij ta ndryshojnë mendjen dhe të luajnë ndaj Ferizajt.
“Shpresoj që ta ndryshojnë mendjen dhe të luajnë ndaj Ferizajt, sepse kjo ndeshje është shumë e rëndësishme në luftën tonë për mbijetesë”, tha Lushtaku për Express.
Por, a do të luhet apo jo ky takim, mbetet të shihet. Ndërsa, Ferizaj megjithatë do të udhëtojë drejt Skenderajt për ta zhvilluar sfidën e radhës, në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Dueli ndaj Drenicës konsiderohet si vendimtar për Ferizajn. Nëse bardhekaltrit nuk e fitojnë këtë sfidë, atëherë thuajse gjasat e tyre marrin fund për të shpëtuar pa rënë nga Superliga. Pra, vetëm me fitore ndaj Drenicës, bardhekaltrit do të mund të shpresonin akoma në mrekulli, pasi aktualisht gjenden në vendin e fundit të tabelës.
“Fitorja do të ishte e mirëseardhur për skuadrën tonë. Edhe pse në Skenderaj do të udhëtojmë me disa mungesa, ne jemi të mobilizuar që të aplikojmë lojë të mirë, dhe të kërkojmë rezultat sa më pozitiv. Në fund, le të fitojë ekipi që e meriton më shumë fitoren”, tha trajneri i ferizajasve, Agron Selmani.
Ferizaj gjendet në vendin e fundit të renditjes tabelore me vetëm 25 pikë, dy më pak sesa Flamurtari që gjendet në vendin e parafundit dhe katër më pak sesa Vëllaznimi që pozicionohet në pozitën e dhjetë. Kurse, Drenica është e nënta me 34 pikë të tubuara.
Superliga – xhiroja e 29-të
E shtunë
Drenica – Ferizaj
E diel
Trepça ’89 – Ballkani
Besa – Lira
Hysi – Trepça
Flamurtari – Vëllaznimi
Prishtina – KEK-u