Marrin premtime nga FIBA
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ia ka hapur dyert Kosovës. Jo për anëtarësim, por për një takim zyrtar ndërmjet udhëheqësve të FIBA’s dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Sekretari gjeneral i FIBA’s, Patrick Baumann dhe drejtori sportiv, Lubomir Kotleba, të premten në selinë e këtij asociacioni në Gjenevë e kanë pritur në një takim zyrtar delegacionin e FBK’së të përbërë nga kryetari Fatmir Gashi, nënkryetari Artan Rugova dhe sekretari Nazmi Paçarada.
Gjatë këtij takimi, pala kosovare i ka njoftuar zyrtarët e lartë të FIBA-s rreth gjendjes së përgjithshme në të cilën gjendet aktualisht basketbolli kosovar. Udhëheqësit e FBK-së ua kanë rikujtuar edhe një herë Baumannit dhe Kotlebas faktin se basketbolli kosovar po ngec në rrugën drejt zhvillimit të mëtutjeshëm për shkak të izolimit.
Delegacioni i FBK-së ia ka përsëritur sërish FIBA-s se Kosova aspiron të bëhet pjesë e këtij asociacioni sa më shpejt që është e mundur. Por, inkuadrimi i menjëhershëm i basketbollit kosovar me të drejta të plota në FIBA vështirë se do të ndodhë aq shpejt.
“Duke pasur parasysh se FIBA është e ngulfatur nga politika, pranimi i plotë vështirë se do të bëhet menjëherë. Andaj, drejt arritjes tonë në cak duhet shkuar hap pas hapi. Hapi i parë drejt pranimit të plotë u bë qysh sot (e premte), pasi ne, udhëheqësit e FBK-së ishim mysafirë zyrtarë në selinë e FIBA-s. Kështu u shpreh edhe vetë Baumann”, deklaroi Paçarada për Express pas këtij takimi.
Duke e parë se pranimi i plotë i basketbollit kosovar në FIBA vështirë se mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, udhëheqësit e FBK-së kanë kërkuar nga Baumanni e Kotleba që deri atëherë, klubet kosovare të lejohen për pjesëmarrje në liga të ndryshme evropiane.
Në fakt, kosovarët kanë kërkuar nga FIBA që të shfrytëzojë ndikimin e vet në mënyrë që klubeve kosovare t’u jepet e drejta për të garuar në Ligën Ballkanike (BIBL), në të cilën FBK-ja veç ka aplikuar zyrtarisht javë më parë.
“Zyrtarët e FIBA-s u zotuan se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për pjesëmarrjen e klubeve tona në Ligën Ballkanike. Ata na premtuan se do të zhvillojnë kontakte në kuadër të FIBA Botës dhe FIBA Evropës me federatat e shteteve anëtare të kësaj lige, në mënyrë që edhe klubet tona të garojnë aty. Përgjigjen pritet ta marrim para se të nisin garat e edicionit të ri në atë ligë”, theksoi Paçarada.
Përveç kërkesës për pjesëmarrje në garat e Ligës Ballkanike dhe në liga të tjera evropiane, kosovarët kanë kërkuar nga zyrtarët e FIBA-s që edhe transferimi i lojtarëve kosovarë të bëhet konform rregullave të shtëpisë së basketbollit botëror.
Njëherësh, delegacioni i FBK-së ka kërkuar nga nikoqirët e këtij takimi që trajnerëve dhe gjyqtarëve kosovarë t’u jepet e drejta për pjesëmarrje në klinika të organizuara nga FIBA. Sipas Paçaradës, këto dy kërkesa të fundit pritet të aprovohen shpejt nga FIBA.
“Për këtë të fundit thuajse veç kemi arritur pajtimin, por presim vetëm edhe konfirmimin zyrtar nga Komisioni përkatës i FIBA-s”, përfundoi ai.
Kjo është hera e parë që një delegacion kosovar ftohet në selinë e FIBA-s për një takim zyrtar me udhëheqësit e saj. Ndërsa, Kosovën më parë e kanë vizituar zyrtarë të lartë të saj, të cilët patën bërë të qartë se Kosova i plotëson kriteret për t’u anëtarësuar në FIBA, po kjo e fundit nuk po mund ta bëjë një gjë të tillë për shkak të presionit politik.