E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë Shpëtim Zizës, mostrës së Dibrës



PESHKOPI – Gjykata ka vendosur ta lërë në burg përjetë 19 -vjeçarin Shpëtim Ziza, i sëmuri mendor që përdhunoi dhe më pas vrau 10 vjeçarin Bekim Cenga. Vendimi është marrë dje paradite nga trupi gjykues i Gjykatës së Peshkopisë. Të njëjtin masë dënimi kërkoi dhe prokuroria një javë më parë, ndërsa avokati i 19 - vjeçarit deklaroi se do apelonte vendimin. Sipas avokatit klienti i tij Shpëtim Ziza është i papërgjegjshëm. 19 - vjecari Ziza akuzohet për vrasjen e 10 vjeçarit më 23 tetor të 2007 në qytetin e Peshkopisë. Ngjarja tronditi gjithë opinionin vendas ndërsa trupi i masakruar i dhjetë vjeçarit u gjet katër ditë pas vrasjes në afërsi të një përroi. Vetë 19 - vjeçari pas arrestimit tregoi në polici dhunën që ushtroi mbi fëmijën dhe vendin se ku forcat blu mund të gjenin trupin e pajetë të të miturit.
Ngjarja
Shpëtim Ziza akuzohet për vrasjen çnjerëzore më 23 tetor të vitit 2007 të Bekim Çengës, trupi pa jetë i të cilit u gjet pesë ditë më pas nga familja. Pamjet ishin të tmerrshme kur policia e gjeti trupin të përmbysur, të masakruar, të dëmtuar në fytyrë me shenja mbytjeje në qafë dhe i dhunuar seksualisht. Këto fakte kanë mjaftuar që prokuroria para një jave të kërkonte burgim përjetë për Shpëtim Zizën, i cili tronditi jo vetëm policinë por mbarë opinionin publik me veprën makabre që ka realizuar. Ka qenë policia ajo që ka mundur të zbulojë kufomën në përroin e fshatit Tomin, rreth 200 metra larg nga pallati i fundit i lagjes “Kamen”, ku banon dhe familja e Ylli Çengës. Shenjat e dhunës në qafë dhe një lak prej fijesh ngjyrë bezhë, pak metër larg vendit ku u gjet fëmija janë sipas ekspertëve tregues të fortë që 10-vjeçari është mbytur. Fëmija, sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e kufomës e më pas ekspertizën, mbante veshur të njëjtat rroba, me të cilat prindërit e kanë përshkruar, kur ai ishte larguar për herë të fundit nga shtëpia e gjyshit.
Dyshimet
Për uniformat blu të Dibrës çështja ishte e kopsitur. Deklarimet e Zizës ishin ato që vijnë zakonisht nga një person i akuzuar për krim, i cili pasi ka pohuar përpiqet të mohojë gjithçka duke u shfajësuar se ishte rrahur nga policia. Por policia pohon se e gjithë ngjarja është dokumentuar. Kështu janë gjetur shenja në trupin e viktimës dhe po ashtu janë gjetur prova në vendin e krimit dhe në atë të përdhunimit dhe sipas agjentëve të gjitha këto implikojnë Zizën. Në dëshminë e tij Ziza tregonte për torturat që i kishte bërë të miturit, duke dhënë edhe detaje. Trupi i fëmijës u gjet i masakruar dhe sipas ekspertëve ai ishte lënë pa ushqim, ishte përdhunuar dhe mbytur. Në rrëfimin e tij Ziza pohonte se arsyet që e kishin çuar drejt vrasjes ishin frika se i mituri do të tregonte për përdhunimin dhe dhunën.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›