E Diel, 1 Nëntor 2026

Dializa, mbarojnë mjekimet në rrezik jeta e 400 pacientëve



Emanuela Sako
Të prekurve nga sëmundja e veshkave iu kanë mbetur dhe pak ditë për t’iu vënë jeta në rrezik. Mungesa prej disa ditësh e medikamenteve kryesore për trajtimin e sëmundjes u ka shtuar ankthin se ditët i kanë të numëruara. Tashmë asnjëri prej tyre nuk ka mundësi kurimi pranë qendrës spitalore të sëmundjeve të brendshme në QSUT. Medikamentet dhe materialet mjekësore janë në përfundimin total të tyre. Kjo është bërë shkak që pacientët të alarmohen, ndërsa mjekët nuk dinë se çfarë përgjigje të japin kundrejt kërkesave të të sëmurëve që si të vetmen shpresë në përballimin e sëmundjes së tyre shohin kurimin nga mjekët.
Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, shpjegoi dje për gazetën “Albania” se janë njoftuar nga personeli përkatës i drejtorisë spitalore se ka mungesë të filtrave dhe ageve, që janë materialet më elementare në spital. Kanë ngelur edhe pak ditë deri në mbarimin përfundimtare të tyre. Ndërkohë që, Thereska tregoi se iu është drejtuar autoriteteve kompetente për zhbllokimin e situatës dhe furnizimin me materiale dhe medikamente, por kërkesa vetëm sa është marrë në konsiderate. Ndërsa, nuk është komunikuar asnjë afat kohor se kur do të pajiset shërbimi i dializës me të gjitha materialet apo medikamentet. Dializa shërben për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe për të cilët kryerja e terapisë zëvendësuese, dializës, është jetike.
Pacientët
Pacientët të prekur nga sëmundja e veshkave kanë parë si të vetmen mënyrë zgjidhje të problemit të tyre të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. Të sëmurët kanë denoncuar para Ministrisë së Shëndetësisë mungesat e theksuara në këtë shërbim, që po rrezikojnë jetën e tyre. Protestuesit kanë kërkuar nga Ministria zgjidhje të menjëhershme të situatës tepër të vështirë që është krijuar.
Shërbimi i dializës
Ministria e Shëndetësisë, vetëm dy muaj më parë, deklaroi se numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e terapisë zëvendësuese, ose dializës, pritet të rritet në masën 15 për qind. Për të përballuar këtë rritje, ministria shprehu bindjen se duhet që shërbimi i dializës të privatizohet, ndërsa është menduar që shteti dhe privati të jenë partnerë. Sipas autoriteteve, kjo bëhet vetë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe për të cilët kryerja e terapisë zëvendësuese është e domosdoshme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 400 pacientë kanë nevojë aktualisht për terapi zëvendësuese dhe rreth 175 pacientë të rinj çdo vit. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 39 aparatura hemodialize në shërbimin spitalor publik që kanë një shkallë shfrytëzimi 50 për qind, megjithëse nevojat janë për më shumë aparatura. Dializa në mjekësi është ecuria e pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme. Dializa përdoret për të mundësuar zhdukjen e uresë, acideve, kaliumit dhe mbeturinave të tjera metabolike (shkëmbyese) të përmbajtura me tepricë në gjak, kur ky punim nuk kryhet nga veshkat, përkatësisht nga mëlçia, për shkak të njeriut të sëmurë rëndë ose sepse veprimi i tij nuk është i mjaftueshëm, siç është rasti i helmimit.

35-vjeçarja: “Pa ilaçe i kemi ditët e numëruara”
Pacientja 35 vjeçare L.Sh, është një nga të sëmurët që i duhet të
Trajtohet tri herë në javë në QSUt. Për gazetën “Albania” ajo rrëfen se ndihet tepër e traumatizuar nga kjo situatë dhe paralajmëron se jeta e saj dhe e pacientëve të tjerë është me të vërtetë në rrezik. Ndërkohë që sqaron se përveç, problemit të shëndetit është e rrënuar ekonomikisht për të përballuar blerjen e medikamenteve apo materialeve, nëse ato do të mbarohen për pak ditë, ndërkohë që shprehet se zgjidhja më e mirë për kurimin e tyre është që të shkojnë jashtë vendit, në spitalet e huaja. Pacientja sqaron se ka dëgjuar nga mjekët dhe infermieret se nuk ka më asgjë për të kuruar pacientët për shërbimin e Hemodializës, madje mungesa ka në të gjithë pavijonet e tjerë. Ajo nuk di se si do të kurohet nëse do të mungojnë mjetet mjekësore, pasi i duhet të marrë mjekimin 3 herë në javë, ndërkohë që ka kohë që vuan nga veshkat. “ Mjekët na kanë vënë në dijeni që mungojnë mjaft materiale, ilaçe që janë parësore për shëndetin tonë. Madje edhe ne vetë e shohim sepse gjithçka duket sikur është me kursim. Por, nuk na kanë dhënë një përgjigje se kur do të vijnë furnizimet në këtë shërbim”,-tregon pacientja.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›