E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhezimi i MASH-it: “Rregullat per tu bere mesues”



Për tu bërë mësues i Arsimit të Mesëm të Ulët apo i Arsimit të Mesëm të Lartë, një studenti, përveç diplomës 3-vjeçare e nivelit të parë, do ti duhet të kryejë edhe një Master të nivelit të parë 1-vjecar (3+1). Ministria e Arsimit organizoi dje, një takim me drejtues të universiteteve publike të kryeqytetit dhe rretheve, rektorë dhe dekanë të fakulteteve të mësuesisë. I pranishëm në këtë takim ishte ministri i Arsimit Genc Pollo. Në këtë mbledhje u diskutua kryesisht për propozimet e Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë në MASH dhe të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës mbi mënyrën e organizimit të programeve të studimit të mësuesisë, kurrikulën në këto programe, kohëzgjatjen e studimeve etj. Për sa i përket kohëzgjatjes së studimeve, u ra dakord me krerët e Institucioneve publike të Arsimit të Lartë që për tu bërë mësues i Arsimit të Mesëm të Ulët apo i Arsimit të Mesëm të Lartë, një studenti, përveç diplomës 3-vjeçare e nivelit të parë, do ti duhet të kryejë edhe një Master të nivelit të parë 1-vjeçar (3+1).
Masteri
Sipas pjesëmarrësve, Masteri duhet të jetë i specifikuar për Arsimin e Mesëm të Ulët dhe Arsimin e Mesëm të Lartë. Për përgatitjen e mësuesve të Arsimit të Mesëm të Lartë u la si mundësi në të ardhmen që kohëzgjatja mund të bëhet, gjithmonë sipas propozimeve të universiteteve, edhe 3+2, në momentin kur edhe statusi i profesionit të mësuesit të justifikojë koston e studimeve. Ndërsa kohëzgjatja e studimeve për një edukator të arsimit parashkollor, kopshtit, dhe mësues të ciklit të ulët do të jetë 3 vjet dhe do të mjaftojë diploma e nivelit të parë. Një tjetër çështje që u diskutua në këtë takim, ishte që kurrikulat e programeve të studimit për mësuesinë të unifikohen, të jenë të njëjta për të gjitha universitetet (pra, kurrikula e programit të studimit të Masterit të Nivelit të Parë për mësuesi të Gjuhë-Letërsisë në Elbasan të jetë e njëjtë me atë të universitetit të Tiranës, etj). Përfaqësues të MASH diskutuan gjithashtu mbi strukturën organizative në IAL përkatëse, me synim administrimin e programeve të studimit dhe përgatitjen e mësuesve nëpër fakultetet e edukimit.
Tarifa
Për sa i përket tarifës së shkollimit për Masterin e Mësuesisë, ende nuk ka propozime konkrete të universiteteve. Por në bazë të nenit 75, të ligjit për Arsimin e Lartë, tarifat e shkollimit për të gjitha ciklet e studimeve, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (me propozim të MASH, e cila konsultohet paraprakisht me universitetet) dhe ato asnjëherë nuk e kalojnë koston e studimit. Gjithmonë në caktimin e tarifave të studimit për programet e studimit, veçanërisht ato të mësuesisë, ashtu si dhe këto dy vite, MASH me anë të politikave sociale do të motivojnë dhe ndihmojnë të rinjtë për tu arsimuar, duke pasur parasysh jo vetëm koston e këtyre studimeve, por kryesisht nevojat e vendit për mësues të përgatitur.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›