E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hartimi testit të Letërsisë, “ngujohen” 17 specialistë



Jonida Tashi

Hartimi i testit të Letërsisë ka “ngujuar” në ambientet e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve “AVA”, 17 specialistët që do të përpilojnë tezën e provimit. Të mbyllur në këto ambiente dhe në masa të rrepta sigurie specialistët do të përgatisin gjatë gjashtë ditëve tezën e provimit të Letërsisë. Shefja e zyrës së shtypit në Ministrinë e Arsimit, Ermelinda Muho, pohoi dje se specialistët u mbyllën dje, që në orët e para të mëngjesit dhe do të qëndrojnë aty për deri në datën 9 qershor, ditë në cilën do të zhvillohet provimi i parë i detyruar i Maturës, Letërsia. Ndërkohë që për të siguruar ruajtjen e sekretit të testit Ministria e Arsimit si çdo vit ka udhëzuar që hartuesit e testit të mbikëqyren nga forca policore që nga momenti i hyrjes deri në daljen e tyre. Procesi i Kohës së Ekspozimit Potencial të Sekretit (KOEPS) nisi dje, në AVA, ku rreth 17 specialistë deri në fillim të provimit të parë me detyrim të Maturës Shtetërore, do të qëndrojnë aty për të hartuar dhe shumëfishuar testet e provimit të parë të Letërsisë. Drejtori i kësaj strukture në varësi të Ministrisë së Arsimit, Edmond Lulja, sqaroi se specialistët do të “ngujohen” për disa ditë për të përgatitur testin e Letërsisë, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 33 mijë maturantë.
Fondi i pyetjeve
Sipas specialistëve, këtë vit fondi i pyetjeve është pothuaj 3-fish më i madh se vitin e kaluar. Burime zyrtare nga MASH-i, shpjeguan se lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet do të hartohen 7 lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipe të ndryshme shkollash. Ndërsa pikët maksimale për testet e provimeve të detyruara janë 50. Sipas drejtorit të AVA-s, tashmë është caktuar fondi i plotë i kërkesave, i sistemuar sipas përmbajtjes, sipas niveleve të vështirësisë, për të cilat janë informuar mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Po ashtu, ka përfunduar dhe procesi i kontaktimit dhe i organizimit të punës në qendrat e vlerësimit në rrethe. Një nga të rejat e korrigjimit të provimeve të maturës 2008, është se ato nuk do të përqendrohen vetëm në Tiranë, por dhe në Shkodër, Elbasan dhe Fier. Pas disa ditësh, kur specialistët të kenë përfunduar tezën përfundimtare të Letërsisë, do të nisë shpërndarja e testeve në çdo mjedis ku do të zhvillohen provimet e Maturës. Ato do të dërgohen me një kuti të vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe elementet e nevojshëm për zhvillimin e provimit.
Materialet
Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve bëhet me procesverbal. Materialet e provimit tërhiqen në AVA nga dy persona: përfaqësuesi i autorizuar me shkrim nga kryetari i KMSH, të DAR dhe ZA dhe një person i autorizuar nga MASH, sipas grafikut të shpërndarjes të dërguar nga MASH. Personat e autorizuar sipas këtij neni, mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e tyre deri në dorëzimin tek kryetari i KMSH-së së DAR-it dhe ZA-së. Kryetari i KMSH-së së DAR-it dhe ZA-së, pas marrjes në dorëzim të materialeve të provimit, i ruan ato në kasafortë dhe mban përgjegjësi ligjore, individuale, institucionale, sipas dispozitave ligjore në fuqi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e tyre. Materialet e provimit tërhiqen me procesverbal në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së nga Përgjegjësi i administrimit të provimit (PAP), në prani të përfaqësuesit të KMSH-së së DAR-it dhe ZA-së që do ta shoqërojë atë, në mëngjesin e ditës së provimit, 2 (dy) orë para fillimit të provimit. Këta dy persona mbajnë përgjegjësi ligjore, individuale, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin deri në momentin e hapjes së tyre. Kutia me materialet e provimit është përgjegjësi e PAP. Në zonat rurale koha e shpërndarjes së materialeve të provimit është në varësi të largësisë së mjedisit të provimit nga DAR-i dhe ZA-ja.
Pas shpërndarjes
Pas shpërndarjes se testeve nga PAP për çdo administrator provimi (AP), testet e ngelura (të papërdorura) PAP i fut në zarf dhe i mbyll. Këto teste qëndrojnë në kasafortën e drejtorisë së shkollës (ose ne ndonjë vend tjetër të sigurt) deri në përfundim të provimit. Pas përfundimit të provimit, administratori i provimit i dorëzon me procesverbal përgjegjësit të administrimit të provimit test-broshurat e plotësuara nga çdo nxënës/kandidat. Përgjegjësi i administrimit të provimit test-broshurat e grumbulluara, testet e papërdorura dhe materialet e tjera të provimit i mbyll në kuti në kushtet e sigurisë në prani të përfaqësuesit të KMSH-së së DAR-it dhe ZA-së, dhe administratorit-eve të provimit. Kutia e mbyllur vuloset nga drejtori i shkollës përkatëse. Në rast të grupimit në një mjedis të nxënësve nga shkolla të ndryshme, përdoret vula e shkollës pritëse. Përfaqësuesi i KMSH-së i DAR-it dhe ZA-së dhe përgjegjësi i administrimit të provimit, dorëzojnë në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së me procesverbal kutinë me materialet e provimit. Personi i autorizuar nga MASH, ngarkohet edhe me detyra të tjera si koordinator dhe mbështetës i KMSH së DAR dhe ZA, për zhvillimin normal të provimeve të Maturës Shtetërore. Ditën e provimit, pas përfundimit të tij, përfaqësuesi i autorizuar me shkrim nga kryetari i KMSH të DAR/ZA dhe personi i autorizuar nga MASH, kutitë e dorëzuara sipas nenit 45, si dhe materiale të tjera të provimit, i sjellin në AVA.

Detyrat e AVA
AVA lidhur me zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore kryen detyrat e mëposhtme:
Harton teste të standardizuara
Trajnon anëtarët e KMSH-ve të DAR-ve dhe ZA-ve si dhe individë të tjerë të përfshirë në zhvillimin e provimeve të Maturës
Boton materiale ndihmëse për provimet e Maturës
Shumëfishon të gjitha materialet e provimeve të Maturës
Kryen paketimin e materialeve të provimeve
Harton grafikun e shpërndarjes dhe grumbullimit të materialeve të provimeve të Maturës
Organizon dhe realizon vlerësimin e testeve
Emëron vlerësuesit e jashtëm të testeve
Shpall rezultatet e arritjeve të çdo nxënësi/kandidati në provimet e Maturës
Arkivon çdo material të provimit dhe i ruan ato për 6 muaj në mjediset e institucionit
Përgatit raportin publik mbi arritjet e nxënësve në provimet e Maturës
Kryen veprimet financiare për hartimin dhe vlerësimin e testeve në përputhje me legjislacionin

Të dhëna
33 mijë maturantë do ti nënshtrohen provimit të Letërsisë
50 janë pikët maksimale për testet e provimeve të detyruara
400 lekësh është tarifa që duhet të paguaj një maturant për të riparë testin
17 specialistët janë izoluar në AVA për të hartuar testin e Letërsisë
7 lloje testesh do të hartohen këtë vit në varësi të profilit të arsimit
3-fish më i madh është fondi i pyetje këtë vit në krahasim me vitin e kaluar

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›