Përfundojnë hetimet për ngjarjen e “Qafë Gjashtës”
TIRANË - Hetimet mbi masakrën e 4 marsit të vitit 1997 në “Qafë Gjashtë” të Sarandës, ku persona të armatosur vranë oficerin e Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe plagosën rëndë dy punonjës të tjerë të policisë, janë në prag të përfundimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke realizuar procedurat e fundit hetimore në funksion të dokumentimit ligjor të kësaj ngjarjeje, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” burime nga kjo prokurori. Forcat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, arrestuan pak muaj me pare pesë persona, ndërkohë që katër të tjerë janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Punonjësi i Policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, u vra me armë zjarri nga një grup personash në 4 mars 1997 në "Qafë Gjashtë" të Sarandës. Autorët e këtij krimi plagosën rëndë edhe dy punonjës të tjerë policie, të cilët ishin nisur nga Vlora me detyrë rimëkëmbjen e Komisariatit të Policisë së Sarandës gjatë trazirave të vitit 1997. Oficeri i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
Ndalohen dy persona për vjedhje makinash
TIRANË - Dy persona të akuzuar për vjedhje makinash janë ndaluar dje nga shërbimet e policisë së Tiranës. Mbi bazën e një urdhri ndalimi të lëshuar nga prokuroria e Tiranës, forcat e policisë vendosën në pranga shtetasin Ilir Dajti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “vjedhje”. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, 24-vjeçari Dajti dyshohet se rreth dy javë më parë, në segmentin rrugor Tiranë - Durrës, i ka vjedhur me armë një shtetasi automjetin tip “Benz ML”, me targa të huaja si dhe sasi të konsiderueshme parash. Të njëjtat burime sqaruan se Ilir Dajti akuzohet për veprën penale te “vjedhjes me armë”.
Po ashtu, forcat e policisë në bashkëpunim me prokurorinë kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Gramoz Meço, 27 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, pasi dyshohet se është autor i vjedhjes së automjetit tip “Benz” më 2 maj 2008, në afërsi të Bar - Restorant “Piaca” në Tiranë. Bëhet e ditur gjithashtu se me cilësinë e provës materiale atij iu sekuestrua automjeti i vjedhur, të cilin e kishte fshehur në një garazh në Tiranë.
4 Qershor 2008