E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, i vihet flaka një gjimnazi

Gjuhët e zjarrta kanë përfshirë godinën e një prej shkollave të mesme të qytetit të Durrësit, duke djegur plotësisht disa prej ambienteve të saj dhe shkaktuar pezullimin e përkohshëm të mësimit. Ndërsa ka nisur java e fundit mësimore për maturantët, ata të gjimnazit "Gjergj Kastrioti" e kanë parë veten jashtë dyerve të shkollës. Te shumë prej tyre komentet për një fund të hirtë të regjistrave janë shuar shpejt, pasi kanë mësuar se zyra ku ato mbaheshin nuk është dëmtuar. Si rezultat i forcës së zjarrit janë thyer xhamat e disa klasave një kat më sipër vatrës së zjarrit, të rënë gjatë orëve të para të së hënës. Ngjarja ka shokuar mësuesit, si dhe pezulluar mësimin për 1150 nxënësit e shkollës. Flakët që kanë shkrumbuar plotësisht sallën e mësuesve dyshohet se kanë qenë të qëllimshme dhe një paralajmërim për drejtuesin e shkollës. Zjarri është vënë në katin e dytë të godinës katërkatëshe, në sallën e mësuesve, që ndodhet ngjitur me drejtorinë dhe sekretarinë e shkollës. Sipas burimeve nga zjarrfikësit, që kanë mbërritur ndër të parët në vendngjarje, në mure kanë qenë të shkruara mesazhe kundër drejtorit të gjimnazit Maksim Bonjaku, që nxënësit dhe mësuesit e njohin si një njeri tepër autoritar. I shokuar për gjithçka ka ndodhur, drejtori i shkollës thotë për gazetën se shmang çdo mundësi që zjarri të ketë rënë aksidentalisht, ndonëse nuk pohon praninë e mesazheve kundër tij në mure, ku nuk duket më asgjë. Kanë qenë banorë të pallateve përreth që teksa kanë parë flakët janë alarmuar dhe kanë njoftuar menjëherë një nga mësueset e shkollës, Kelën, e cila ka lajmëruar drejtorin e shkollës. "U njoftova rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe kam nxituar të vij për të parë gjendjen e shkollës nga pasojat e këtij zjarri të pazakontë. Përjashtoj çdo mundësi që të ketë pasur ndonjë shkëndijë a qark të shkurtër elektrik që të ketë shkaktuar zjarrin", thotë për gazetën Bonjaku. Pas çdo dite mësimi, aq më tepër para fundjavës, automati i linjës elektrike të shkollës ulet për të shmangur atë që pikërisht ndodhi. Zjarrfikëset, të cilat kanë shkuar në shkollë, në Lagjen 1 të qytetit, pranë Kodrës Vilë, kanë shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në godinë, si dhe rrezikun që zjarri mund të sillte për godinat përreth shkollës. Burimet policore bënë të ditur se dokumentacioni i shkollës nuk është prekur, pasi regjistrat ndodheshin në një tjetër ambient të po atij kati, në sekretarinë e shkollës. Mësuesit janë të tronditur për çfarë ka ndodhur dhe shprehen se nuk besojnë që zjarri të jetë vënë nga nxënës të shkollës së tyre, por nga persona të tjerë, të shtyrë prej ndonjë nxënësi. Ata nuk munden ose nuk duan të identifikojnë emra konkretë, por janë të bindur se qëllimi nuk ka qenë të djegin regjistrat e shkollës, por një paralajmërim i lig, i keq adoleshentësh. Shkolla "Gjergj Kastrioti" është ndërtuar në vitin 1967 dhe mbahet si një nga dy gjimnazet më të mira të qytetit bregdetar. Pas zjarrit në shkollë kanë shkuar përfaqësues të departamenteve të bashkisë për të vlerësuar dëmin dhe ndërhyrë me fonde për riparimin e ambienteve të dëmtuara. Ndërkohë që ditën e djeshme shkolla është kthyer në kantier pune. Elektricistë, bojaxhinj, mësues dhe disa nxënës kanë nisur t‘i ndryshojnë fytyrën e nxirë keqas nga zjarri shkollës 41-vjeçare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›