E Shtunë, 31 Tetor 2026

I paraburgosuri tenton të mbysë veten me triko

Një i burgosur ka tentuar t‘i japë fund jetës, pasi është lënë në burg për një plagosje të kryer pak kohë më parë në qytetin e tij. Ngjarja ka ndodhur në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Pogradec, ku në mesditë policia lokale është vënë në alarm, kur një nga të izoluarit është asfiksuar, pasi ka tentuar të vetëvritet. Ka qenë 23-vjeçari Shpëtim Xhukellari, që me mëngët e trikos ka dashur t‘i japë fund jetës në dhomat e paraburgimit. Ai i kishte lidhur fort për të formuar lak dhe më pas kishte shtrënguar me mëngë grykën. Alarmi që është vënë nga të paraburgosurit e tjerë në dhomë, ndërsa kanë parë veprimin e të riut, pas kësaj tentative, ka çuar në ndërhyrjen e personelit të policisë, që i ka dhënë edhe ndihmën e menjëhershme. Burimet e policisë lokale kanë bërë të ditur se fillimisht 23-vjeçari i arrestuar për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje është gjetur në gjendje kritike, për shkak të bllokimit të frymëmarrjes, por pas ndërhyrjes së parë dhe të mjekëve ka dalë nga gjendja kritike. Shkak është bërë masa e sigurisë ndaj tij. 23-vjeçari nga fshati Vërdovë i Pogradecit kishte dalë për masë sigurie para trupit gjykues, nën akuzën e plagosjes së rëndë dhe ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit me burg. Kjo ka ndikuar në gjendjen e tij, por ndërsa është shoqëruar nga policia më pas për në dhomat e paraburgimit, i izoluari në ambientet e poshtme të komisariatit ka dashur t‘i japë fund jetës. Burimet policore kanë thënë se ngjarja ka ndodhur dy orë pas marrjes së masës. Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Pogradecit në orën 13.00, siç deklaron policia, Shpëtim Xhukellarit iu dha masa e sigurisë burg për dy vepra penale. Kaq ka mjaftuar që 23-vjeçari, që sapo është futur në qeli, me mëngën e trikos së vet që mbante të veshur, të tentojë vetëmbytjen. Veprimi i tij, sipas Komisariatit të Pogradecit, u konstatua në kohë nga shërbimet e policisë, ndërsa konfirmohet se ka dalë nga gjendja kritike për jetën. Pak kohë më parë, i riu nga Vërdova u arrestua për plagosjen me armë zjarri të një tjetër të riu në qytetin e Pogradecit dhe si autor u vu në pranga menjëherë pas ngjarjes.

Vetëvrasje

Një tjetër viktimë i shtohet vetëvrasjeve të shumta në juglindje të vendit. Ka qenë një 27-vjeçare që ka vrarë veten me armën e gjahut të të atit. Vetëvrasjet janë zhvendosur në zonën e Devollit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bracanj, kur gjatë orëve të pasdites një 27-vjeçare ka marrë armën e babait që e kishte me leje dhe ka qëlluar veten me çifte. Nexhmie Myrte është gjetur e vrarë nga të afërmit, të cilët kanë konfirmuar për policinë se vajza kishte dy vjet që vuante nga depresioni dhe trajtohej me ilaçe. Viktima është gjetur në ambientet e brendshme të shtëpisë së saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›