E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet ish-atleti, enigmë shkaqet dhe autori

TIRANË – Plumba mbi ish-atletin dhe trajnerin Hasan Rakipi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Kamzë, pranë kompleksit të stërvitjes së ekipeve kombëtare, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të 56-vjeçarit duke i marrë atij jetën.
Ngjarja
Ka qenë ora 18:00 kur Hasan Rakipi, pasi ka qenë me disa miq të tij në një lokal aty pranë, ka dalë dhe është drejtuar për në makinën e tij. Sapo ka hyrë në makinë ai është qëlluar nga persona të paidentifikuar ende, të cilët menjëherë pas krimit janë larguar në drejtim të paditur duke humbur gjurmët. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje mësohet se askush nga personat që kanë qenë në lokal apo jashtë tij nuk kanë parë asnjë person që të qëllonte mbi ish-atletin Rakipi. Nga ana e saj policia shprehet e rezervuar lidhur me të dhënat paraprake, pasi deri tani janë marrë në pyetje vetëm personat që kanë qenë në lokal, të cilët janë lënë të lirë më pas, duke mos dhënë asnjë informacion që mund t’i shpërbejë për zbulimin e autorit apo autorëve të kësaj ngjarjeje.
Hetimet
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta police kanë mbërritur në Kamzë ku kanë rrethuar gjithë zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe të autorëve të këtij krimi. Grupi hetimor ka marrë në pyetje të gjithë personat që kanë qenë në lokal dhe kanë dalë në konkluzionin që asnjëri prej tyre nuk është i dyshuar për këtë ngjarje, duke i lënë sërish të lirë. Nga ana tjetër, grupi hetimor pritet të marrë në pyetje familjarët e viktimës për të zbuluar nëse Hasan Rakipi ka pasur ose jo konflikte kohët e fundit. Nga të dhënat e mbledhura deri tani rezulton se Rakipi, pasi ka përfunduar stërvitjen pranë fushave sportive, është ulur në një lokal me disa miqtë e tij. Pasi ka mbaruar pijet me miqtë e tij, ai është drejtuar për te makina, ku edhe është qëlluar për vdekje.
Policia e Tiranës ka ngritur disa postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit dhe përreth zonës ku ndodhi ngjarja.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›