Burg përjetë për vrasësit me pagesë të policëve
Dy vlonjatët kanë ekzekutuar policët e Krujës pasi janë paguar nga një person i tretë. 20 vjet burg edhe sekserit
TIRANË- Janë paguar për të vrarë dy policë dhjetë vjet më parë dhe tashmë duhet të përballen me dënime maksimale. Gramoz alias Dritan Rexhepi dhe Sokol Halilaj janë akuzuar nga prokuroria si vrasësit me pagesë të dy punonjësve të Komisariatit të Policisë së Krujës dhe një qytetari tjetër. Ata janë paguar nga një person ende i panjohur për drejtësinë ndërsa ndërmjetësimi është bërë nga shtetasi Shefqet Seferi, i cili do të dënohet me 20 vjet burg. Këto janë kërkesat e prokurorisë për Krimet e Rënda gjatë seancës së parafundit të një procesi që ka zgjatur më shumë se një vit.
Prokurori i çështjes, Anton Martini, pas disa javëve shtyrje të seancës gjyqësore për mungesë të avokatëve, mesditën e djeshme në ora 11:00 kur edhe filloi seanca gjyqësore, vazhdoi me leximin e konkluzioneve përfundimtare ndaj të pandehurve. “Pas mbarimi të fazës hetimore që zgjati rreth një vit dhe zhvillimit të procesit gjyqësor prej gati dy viteve, është arritur të vërtetohet se të pandehurit Sokol Halilaj e Gramoz alias Dritan Rexhepi, janë ekzekutorët kryesore të dy efektivëve të policisë së Krujës Arben Keqi dhe Durim Kasmi mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 në Krujë, ku mbeti i vrarë edhe një kalimtar rasti, shtetasi Raim Bakiasi. Të dy të pandehurit janë fajtorë për kryerjen e kësaj vrasjeje të trefishtë të cilën e kanë bërë për llogari të bashkëpunëtorit që ndodhet i pandehur në gjykatë, Shefqet Seferi, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit mes dy vlonjateve “vrasës” dhe personit të paidentifikuar që ka paguar për eliminimin e dy policëve. Kështu, në përmbledhje të të gjitha këtyre provave dhe dëshmive të siguruara, organi i akuzës arrin në përfundim dhe kërkon nga Gjykata e Krimeve të Rënda të deklarojë fajtorë për vrasjen e shtetasve Arben Keqi, Durim Kasmi e Raim Bakiasin dy të pandehurit nga Vlora, Sokol Halilaj e Gramoz alias Dritan Rexhepi dhe t’i dënojë ata me burgim të përjetshëm. Ndërsa, për bashkëpunëtorin e tyre, të pandehurin Shefqet Seferi, i cili ka luajtur ndërmjetësint mes dy të pandehurve vlonjatë dhe personit të paidentifikuar që ka paguar për eliminimin e dy policëve, kërkojmë nga gjykata dënimin e tij me 20 vjet burg”,- tha prokurori Martini gjatë leximit te pretencës. Togat e zeza, pas dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit dhe kërkesës së avokatëve mbrojtës për kohë që të përgatiten për pretendimet e tyre përfundimtare vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore për të vazhduar pas dy javësh me dëgjimin e pretendimeve të mbrojtjes dhe vetë të pandehurve të arrestuar.
Sipas akuzës, fillimisht zbulimin dhe identifikimin e vrasësve të dy policëve të Krujës e ka bërë i pandehuri Seferi i cili në fillim të hetimeve pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke zbardhur ngjarjen por pas disa muajve, i pandehuri tërhoqi gjithçka duke prishur njëkohësisht edhe marrëveshjen e bashkëpunimin që kishte me drejtësinë. Marrëveshje kjo që rrezikon që dy të pandehurit të marrin edhe pafajësinë për shkak se organi i akuzës ka shumë pak prova të tjera materiale që mbrojnë pretendimet se dy të pandehurit janë vrasësit e policëve. Sipas akuzës, ndaj të pandehurve Gramoz alias Dritan Rexhepi, Sokol Halilaj dhe Shefqet Seferi rëndon akuza e vrasjes me paramendim për shkak të cilësive të veçanta të personit, e kryer më shumë se një herë në bashkëpunim, pasi mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 u vranë në një lokal në qytetin e Krujës ku mbeti i vrarë nga plumbat edhe pronari i lokalit ku ndodheshin dy policët, Raim Bakiasi. Vrasja e tyre sipas akuzës, ka ardhur pas një grindjeje që policët kishin me një qytetar të Krujës, i cili në pamundësi për t’i ekzekutuar vetë kishte kërkuar ndihmën e shtetasit Shefqet Seferi që t’i gjente vrasës. Ky i fundit kishte kontaktuar me dy vlonjatët Halilaj e Rexhepi dhe kundrejt një pagese që nuk është zbardhur ende, kanë kryer vrasjen e policëve krutanë.
Holanda mohon ekstradimin e Rexhepit
TIRANË- Ka qenë data 31 mars e vitit që lamë pas, ku në Amsterdam të Holandës, policia vendase me kërkesë të autoriteteve italiane i vendosen prangat në një internet kafe “vrasësit” me pagesë Gramoz (Dritan) Rexhepi nga Vlora, i akuzuar në Shqipëri për vrasjen e dy policëve në Krujë dhe një kalimtaritjetër. Por, menjëherë pas arrestimit, u lajmëruan autoritetet shqiptare të cilat dërguan kërkesën për ekstradim në Shqipëri, kërkesë kjo e cila nuk u pranua nga autoritetet holandeze pasi arrestimi i tij ishte kryer për llogari të prokurorisë së antimafias së qytetit të Venecias në Itali. Pas refuzimit të kërkesës së shtetit shqiptar, drejtësia holandeze pranon kërkesën e autoriteteve italiane dhe e ekstradon vlonjatin Gramoz alias Dritan Rexhepin në Venecia të Italisë, ku është gjykuar dhe dënuar për trafik droge dhe falsifikim të dokumenteve. Ndërkohë, në Shqipëri i pandehuri Rexhepi, pas arrestimit për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda mesditën e 21 janarit të vitit 2006,ka mundur të ikë nga ambientet e brendshme të Komisariatit të Durrësit, nga dhoma ku pritej të merrej në pyetje nga prokurori i çështjes. Që nga ajo ditë, Rexhepi ka jetuar në ilegalitet për tu arrestuar në marsin e 2008 në Amsterdam të Holandës.
SKEDA:
Emri: Gramoz, Dritan
Mbiemri: Rexhepi
Mosha: 28 vjeç
Gjendja civile: Beqar
Akuzat: Vrasje me paramendim në rrethana cilësuese më shumë se njëherë në bashkëpunim
Arrestohet më: 26 janar 2006 në Shqipëri
Arratiset me: 27 janar 2006 nga Komisariati i Durrësit
Arrestohet më: 31 mars 2008 në Amsterdam Holandë