E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e Delijorgjit kërkojnë rikthim në punë

Tre gjyqtarët u shkarkuan nga KLD-ja pasi rrëzuan padrejtësisht akuzat që ishin ngritur mbi Mihal Delijorgjin

TIRANË- Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të nisin sot çështjen e tre gjyqtarëve e Apelit Ushtarak të Tiranës, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, të cilët u shkarkuan nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë, me pretendimin se “falën” Mihal Delijorgjin nga akuza. Sipas burimeve zyrtare të gjykatës, në orën 11:00 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë do të mblidhen për të shqyrtuar ankimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak të Tiranës. Shqyrtimi i kësaj dosjeje do të fillojë me dëgjimin e pretendimeve të të dyja palëve të përfshira në proces, gjyqtarët e shkarkuar dhe përfaqësuesit të KLD-së. Ndërkohë edhe pse kanë mbi dy muaj që nga dita e lirimit të tyre nga detyra e gjyqtarit për shkelje, as KLD-ja dhe as institucioni i Ministrisë së Drejtësisë që ka iniciuar procedimin ndaj tyre nuk kanë deponuar në prokurori kallëzimet përkatëse për shkelje edhe pse është detyrim ligjor i këtyre institucioneve. Sipas vendimit të KLD-së, inspektorati i këtij këshilli, mbi bazën e një ankese të bërë publike nga media vizive dhe të shkruara, ka nisur kontrollin mbi verifikimin e veprimtarisë gjyqësore ndaj tre gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, të cilët me vendimin e datës 17 dhjetor 2007 liruan nga akuzat dhe dënimi Mihal Delijorgjin. “Në përfundim të procedimit disiplinor, KLD-ja me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka, dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Gjithashtu është konstatuar se rrëzimi i padisë civile, në një proces penal, në përfundim të të cilit, është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me dispozitën e mësipërme urdhëruese të ligjit procedural penal dhe në të njëjtën kohë, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate, të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej122. 668. 851 lekësh”,-thuhet në pjesën e vendimit të KLD-së. Delijorgji me vendimin e tre gjyqtarëve u lirua nga akuza e “falsifikimit të vulave, stampave ose të formularëve”, si dhe “kontrabandës me mallra të tjera” ku është dënuar me gjobë prej 10 milionë lekësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›