Policia harron 350 efektivat e shkarkuar nga detyra
TIRANË- Policia e Shtetit neglizhon rikthiminnë radhët e saj të policëve që u prekën nga reforma. Në muajin shtator të vitit 2008, me anë të një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi se ka rreth 250 vende vakante në polici duke ftuar të gjithë ish-policët të regjistroheshin nëse dëshironin të rivishnin uniformën blu. Ata do t’i nënshtroheshin një konkursi dhe fituesit do të ktheheshin në punë në muajin tetor por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur. Tragjeditë e ndodhura njëra pas tjetrës në vend, analiza e policisë së shtetit në fundviti si dhe përgatitjet për festën e 97-vjetorit të krijimit të policisë, angazhoi policinë duke bërë që të liheshin pas dore konkurset për ish-policët.
Neglizhenca
Burimet nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit thonë se kanë qenë tepër të angazhuar me ngjarjet e ndodhura muajt e fundit të vitit 2008, gjë e cila ka bërë që të “harrohen” ish-policët që kanë dorëzuar prej rreth katër muajsh dokumentet për tu rikthyer në polici. Fundi i tetorit ishte afati i fundit që vendosi policia për mbledhjen e dokumenteve të dorëzuara në të gjitha drejtoritë e qarqeve, dhe më pas menjëherë do të caktohej data për konkursin që do t’iu nënshtroheshin ish-policët. Gjithçka pritej të mbaronte deri në fund të muajit nëntor. Rreth 350 policë kanë konkurruar për këto poste dhe në fund të procesit do të dilnin 250 fitues, të cilët do të rifillonin punën duke plotësuar vendet vakante. Këto të fundit u konstatuan pas implementimit të ligjit të ri për gradat e policisë së shtetit. Mirëpo ende nuk është vendosur një datë fikse për konkurrimin e ish-policëve të regjistruar të cilët janë “sorollatur” në drejtoritë e qarqeve ku dorëzuan dokumentet për të marrë informacione. “Më datë 13 janar policia e shtetit feston krijimin e saj, kështu që deri atëherë nuk mund të “mendohet” për datën e konkursit, më pas do të vendoset”,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Kështu pas datës 13 janar, ish-policët do të konkurrojnë për tu rikthyer në polici, nëse policia e shtetit nuk është sërish e angazhuar në ndonjë tragjedi.
Ish-policët
Neglizhenca duket se nuk ka qenë vetëm nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit por edhe nga vetë ish-policët. Ishin rreth 1800 uniforma blu të cilat u detyruan të dorëzonin armët për shkak të reformës. Ata u njoftuan në fund të muajit shtator të vitit të kaluar se do të riktheheshin sërish në punë falë një konkursi. Por vetëm 350 prej tyre ishin të interesuar të provonin për të riveshur uniformën blu. Interesimi iish-policëve ka qenë i ulët për shkak se shkëputja e tyre nga policia ka bërë që ata të angazhohen me detyra në subjekte private, dhe kanë neglizhuar rikthimin në radhët e policisë”,- thanë për “Shekullin” burimet nga policia.