Prokuroria kërkon riekspertim për makinën e Bazes
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar një riekspertim për djegien e makinës së botuesit dhe gazetarit Mero Baze duke quajtur veprimet e para të kryera nga policia në vendin e ngjarjes si tepër sipërfaqësore. Fillimisht policia deklaroi se djegia e makinës kishte ndodhur nga një qark elektrik por kjo nuk ka bindur aspak prokurorët. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët saktësuan se me ardhjen e dosjes nga policia, njëri nga zvdrejtuesit e linjëspranë kësaj prokurorie ka caktuar prokuror Erion Panën, si kryesues i grupit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ku për pasojë ka mbetur e djegur në rrethana ende të paqarta makina e gazetarit Baze pranë pallatit ku ai banonte. Sipas këtyre burimeve, hetimet për këtë çështje do të shtrihen në disa pista, ku kryesorja është ajo e vendosjes së zjarrit për arsye të punës që ai kryen. Gjithsesi, institucioni i akuzës shtoi se “edhe pse efektivët e policisë kanë kryer një akt-ekspertim të shkakut të djegies së makinës së shtetasit Mero Baze, që sipas tyre ka ardhur nga pasoja e një qarku fals elektrik, prokuroria nënvizon se do të përsëritet ky ekspertim për shkak se si praktikë organi i akuzës kryen edhe njëherë ekspertimet për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e zjarrit”,- thanë burimet zyrtare pranë akuzës së kryeqytetit. Edhe vetë gazetari Baze pak ditë më parë, pas deklaratës së policisë që djegia ka ardhur si pasojë e një qarku fals elektrik ka reaguar ashpër duke hedhur poshtë këtë version që sipas tij është paragjykuar që natën e djegies së makinës. Sipas akuzës, gjithçka ka ndodhur pas mesnatës duke gdhirë mëngjesi i datës 31 dhjetor të vitit që lamë pas, ku ka marrë flakë makina pas katër orë parkingu pranë pallatit ku Baze banonte. Makina e gazetarit Baze, e tipit “BMË 530”, me benzinë shpërtheu pas 20 minutash dhe u dogj plotësisht edhe pse në vendngjarje kishin arritur zjarrfikësit. Sipas vetë gazetarit, djegia e makinës ishte pikasur nga i biri i tij 15- vjeçar i cili ishte ende zgjuar kur dëgjoi alarmin e makinës dhe lajmëroi Bazen që njoftoi policinë.