E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmat për një kandidat të pavarur kushtojnë 70 mln lekë

Kodi parashikon vështirësi edhe për ata individë, që marrin mbështetjen e 1% të individëve që kanë të drejtë vote në atë zonë

TIRANË- Konkurrimi në zgjedhjet e ardhshme vështirësohet edhe për të gjithë ata individë të paaktivizuar në jetën politike dhe që kanë ambicien për të qenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2009. Arsyet janë pothuajse të njëjta me ato të partive joparlamentare dhe që kanë të bëjnë me anën financiare. Kodi i ri Zgjedhor kërkon nga këta individë shpenzime financiare jo vetëm për përballimin e fushatës zgjedhore, por edhe për regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas ligjit zgjedhor, përcaktohet një procedurë e tejzgjatur që nis me krijimin e komitetit nismëtar dhe përfundon me paraqitjen e deklaratave të noterizuara të mbështetësve në KQZ. Në këtë mënyrë për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit i njohur ndryshe si kandidati i pavarur, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët do të ngarkohen për të mbledhur firmat mbështetëse për kandidatin. Jo më vonë se 60 ditë para ditës së zgjedhjeve komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ duke paraqitur njëkohësisht dhe emrat e anëtarëve të tij. Procedura vazhdon më pas me mbledhjen e firmave dhe që një komitet nismëtar të regjistrojë një kandidat për deputet duhet të ketë marrë mbështetjen për kandidatin e një numri zgjedhësish që i korrespondon një shifre, që është jo më pak se 1 për qind të të gjithë individëve me të drejtë vote në atë zonë zgjedhore. Përcaktimi i këtij kriteri bën që vështirësia për sigurimin e firmave të jetë e ndryshme në zona të ndryshme zgjedhore. Kështu, të favorizuar do të jenë ata kandidatë që do të konkurrojnë në zonat e vogla zgjedhore si në Kukës, Gjirokastër etj, pasi numri i votuesve është më i vogël. Vështirësia më e madhe do të jetë për kandidatët që do të konkurrojnë në zonat e mëdha zgjedhore, siç është rasti i Tiranës. Sipas këtij përcaktimi ligjor në qarkun e Tiranës që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë një zonë zgjedhore, duke iu referuar shifrave të votuesve të bëra publike nga Ministria e Brendshme rezulton se një kandidat i pavarur do të duhet të sigurojë firmat e 1 për qind të mbi 700 mijë zgjedhësve, ose thënë ndryshe afro 7 mijë firma. Ashtu si dhe në rastin e partive politike joparlamentare për të ligjëruar firmat e mbështetësve të tij një kandidat ose duhet të paraqesë mbi 7 mijë akte noteriale ose të paraqesë përpara KQZ-së 7 mijë mbështetësit e tij për të bërë deklarimin aty përpara anëtarëve të këtij institucioni. Të dyja këto lloj procedurash ashtu si dhe në rastin e partive kërkojnë një fond të madh financiar për të përballuar harxhet që lindin nga ky proces. Sipas këtyre llogarive rezulton se një kandidat i pavarur në Tiranë vetëm për sigurimin e firmave do të duhet të harxhojë të paktën 7 milionë lekë të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›