E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg përjtë, vrau dhe dogji për 5 mijë lekë

15/01/2005  TIRANË – Fatmir Veliu vrau një djalë të ri dhe më pas i vuri flakën, vetëm pasi i grabiti 5 mijë lekë. Për këtë vepër të rëndë penale, prokurori Eugen Beçi kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm. Kaq ishte edhe vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda. I pandehuri Fatmir Veliu, që prej dy seancash kishte kërkuar ndryshimin e trupit gjykues, por dje kërkesa e tij u rrëzua, duke u shoqëruar me shpalljen e vendimit. I pandehuri veprën e vrasjes e ka kryer në qetësi të plotë dhe në mënyrë çnjerëzore. Ky është konkluzioni që doli në vendimin e djeshëm. Vjedhje me armë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese në më shumë se dy persona, armëmbajtje pa leje. Këto janë akuzat për të cilat i pandehuri Fatmir Veliu, jo më shumë se 25 vjeç, mori dje dënimin me burgim të përjetshëm. Nuk pati dëshirë të jepte shpjegime para gjykatës, për krimet e kryera. Gjatë gjithë kohës qëndroi i qetë. Në sallën e gjyqit ndodhej vetëm një nga familjarët e tij të ardhur nga fshati Lofkënd i Fierit.

Ngjarja

Në datën 15 qershor 2003, Hysni Hyseni dhe nipi i tij, Lavdoshi nga Berati, u nisën për në fshatrat e Fierit, me qëllim që të shisnin disa rroba të përdorura. Kur shkuan në fshatin Lofkënd, afër të cilit ndodhet një pyll, nuk kishin me vete më shumë se 5 mijë lekë të reja. I pandehuri Fatmir Veliu u del përpara, i ndalon dhe kërkon që t'i dorëzojnë paratë. Fatmiri mbante me vete një armë automatike. Pasi merr nga xhepat e Hysni Hysenit 5 mijë lekë, i pandehuri i porositë që të mos i tregojnë policisë. Por, edhe pse i lë porosi, ai nuk bindet se i dëmtuari Hyseni dhe nipi i tij nuk do të shkonte në polici. Kështu, i pandehuri vendos të çojë më tej krimin. Ai qëllon me qytën e armës të dëmtuarin Hysni Hyseni, duke e lënë pa ndjenja në tokë. Ndërsa, nipin e tij, Lavdoshin, e qëllon me një plumb në kokë. Nipi i Hysniut gjen vdekjen e menjëhershme. I pandehuri nuk mjaftohet me kaq. Në mënyrën më çnjerëzore, ai i vë flakën viktimës dhe rrobave që kishin me vete. Ndërsa, Fatmiri largohet në drejtim të fshatit, duke lënë armën e krimit në vendngjarje, i dëmtuari Hysni Hyseni ngrihet dhe menjëherë shkon në polici për të treguar atë që i ndodhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›