E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarë, malazezë e kosovarë më shumë shkëmbime reciproke

15/01/2005  SHKODËR - Nënshkruhet në Shkodër nga një pjesë e kryebashkiakëve të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, deklarata e bashkëpunimit rajonal mes të tri vendeve. Paraditen e djeshme në qytetin e Shkodrës kanë qenë të pranishëm kryetarët e Bashkive të ndryshme të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës. Të gjithë së bashku kryebashkiakët kanë diskutuar për mundësitë dhe dëshirën për bashkëpunim mes rajonit, në shërbim të komunitetit dhe integrimit në strukturat evropiane. Nga bashkitë e vendit tonë merrnin pjesë kryebashkiakët e Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Bajram Currit, Pukës, Elbasanit, Korçës dhe Lushnjës, ndërsa nga bashkitë e Kosovës merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Ferizaj dhe Mitrovicës. Bashkitë e Malit të Zi përfaqësoheshin nga kryetarët e Bashkive të Ulqinit, Podgoricës, Budvës dhe Vir Pazarit. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, kryebashkiakët e tri vendeve të rajonit kanë diskutuar gjatë për mundësitë dhe dëshirat për bashkëpunim dhe mirëkuptim. Kryebashkiakët në takimin e djeshëm u shprehën se duke qenë përfaqësues të qytetarëve, para tyre dalin një sërë detyrash të përbashkëta në nivel lokal, në shërbim të qytetarëve me synim për të vendosur bazat e një bashkëpunimi të përhershëm. “Për këtë jemi të bindur, u shprehën dje në takimin tripalësh kryebashkiakët e pranishëm, pasi kemi punuar mjaft për të arritur në këto nivele dhe kemi patur rezultate. Afrimi i tre vendeve është qëllimi kryesor i posteve si kryetarë të bashkive që drejtojnë, kjo për të treguar një shembull perfekt mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e rajonit dhe afrimin me strukturat evropiane”. Pas diskutimeve të shumta, kryebashkiakët kanë nënshkruar njëri pas tjetrit dhe një deklaratë të përbashkët mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me pesë pika. Bashkia organizatore e takimit të djeshëm, gjatë viteve të fundit ka patur marrëdhënie shumë të mira me të gjitha ”simotrat” e saj, me të cilët është firmosur dje deklarata e bashkëpunimit rajonal. Me Malin e Zi, fqinjin më të afërt të Shkodrës, prej vitesh është vendosur një politikë bashkëpunimi e shkëmbimi reciprok. Por nuk mund të mohohen as marrëdhëniet e mira të vendosur pas mbarimit të konfliktit të Kosovës dhe me bashkitë kosovare. Me firmosjen e deklaratës së djeshme gjithsesi pritet nga të gjithë një ngritje në cilësinë e marrëdhënieve dhe shkëmbime më të shumta, më të shpeshta dhe më fitimsjellëse për të gjitha palët nënshkruese. Takimi ka patur dhe diskutime ku e ardhmja e rajonit dhe integrimi në Bashkimin Evropian është parë si një pikë që duhet parë me përparësi në punën e gjithsecilit kryetar bashkie në të trija vendet nënshkruese të deklaratës së bashkëpunimit rajonal. Ardian Mehmeti

Deklarata e mirëkuptimit

1.Të sjellin një dimension të ri në qeverisjet lokale, duke i krijuar ato aty ku nuk ekzistojne dhe duke i përforcuar ato në ato vende ku janë të krijuara

2. Të afrojnë rajonin sa më afër prespektivave për integrim në Bashkimin Evropian

3.Të nxisin marrëdhëniet ekonomike mes vendeve, të nxisin tregtinë, investimet, sipërmarrjen, transportin dhe bashkëpunimin mes zonave doganore

4. Të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe rendit publik

5. Të nxisin bashkëpunimin ekonomik, social, arsimor, shkencor dhe atë teknologjik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›