E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: Menaxhuam sigurinë në 3.312 aktivitete elektorale. Në gatishmëri 6200 policë

TIRANE – Policia e Shtetit bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj njoftoi se 6200 punonjës të policisë do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe helikopterë të ushtrisë do të jenë në gatishmëri në rast nevoje për të ndërhyrë në zonat ku mund të ketë probleme.

“Për ditën e sotme janë planifikuar për tu përfshirë në shërbim për mbulimin e KQZ-ve dhe Qendrave të Votimit 6.200 punonjës policie. Për të garantuar mbulimin me shërbim të të gjithë objekteve zgjedhore është bërë lëvizja e rreth 750 forcave policore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe 2 drejtorive Rajonale të Kufirit e Migracionit në drejtim të atyre zonave, ku nuk mbulohej numri i objekteve zgjedhore me punonjësit që ato kanë në organikë.Në këtë kuadër, për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar janë marrë masa për vënien në dispozicion të tyre mjete transporti, autobusë. Për ditët në vijim, që përfshin periudhën para, gjatë dhe pas ditës së votimit deri në përfundim të procesit zgjedhor, veprimtaria e strukturave të Policisë së Shtetit do të fokusohet në drejtim të:
- Marrjes në ruajtje të qendrave të votimit,
- Ndërhyrjes në qendrat e votimit, gjithnjë në bazë të kërkesës së komisioneve të qendrave të votimit për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik.
- Kryerjes së veprimeve procedurale për të gjitha ngjarjet apo incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.
- Shoqërimit të materialeve të votimit nga qendrat e votimit për në vendnumërimet e votave.
- Bashkëpunimit dhe koordinimit me përfaqësuesit e KZAZ-së, për të disiplinuar veprimet konform kërkesave të Kodit Zgjedhor.
- Monitorimit të Sigurisë Publike, nga grupet e drejtimit në nivel vendor e qendror, duke marrë informacion të detajuar për çdo rast të cenimit të procesit zgjedhor, me synim parandalimin e ngjarjeve.
- Shoqërimit të materialeve të votimit nga vendet e numërimit të votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve",- u shpreh Burgaj.

Drejtori i Policisë bëri të ditur se marrja në dorëzim e objekteve zgjedhore nga shërbimet e policisë parashikohet të fillojë rreth orës 18.00’ të ditës së sotme, me mbërritjen e materialeve zgjedhore pranë këtyre objekteve.

I pyetur nëse policia ka ndonjë listë të zonave zgjedhore që janë më të rrezikuara për tensione, Burgaj u përgjigj se për të mbajtur situatën nën kontroll janë vënë në dispozicion dhe helikopterë të ushtrisë.

“Jemi të përgatitur dhe kemi plan të veçantë për këto zgjedhje. Kemi vënë në dispozicion helikopterë të ushtrisë në zona në gatishmëri për të vepruar në çdo rast dhe forca të gatshme për të vepruar në çdo moment”,- shpjegoi ai. 

Në lidhje me fushatën elektorale, drejtori Burgaj tha se janë shënuar 44 incidente, ndërsa policia ka menaxhuar sigurinë në 3.312 aktivitete elektorale.
 
“Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht duke marrë masa të gjithanshme për garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara nga subjektet elektorale apo kandidatët e pavarur. Në këtë kontekst është bashkëpunuar ngushtë dhe me organizatorët e këtyre aktiviteteve. Gjatë kësaj periudhe nga strukturat e Policisë së Shtetit është menaxhuar siguria publike gjatë zhvillimit të 3.312 aktiviteteve elektorale, një shifër kjo mbi dy herë më e lartë se ajo e zgjedhjeve të vitit 2011, duke angazhuar me shërbim shtesë personelin policor për 3603 orë në të gjitha strukturat e policisë. Gjatë këtij procesi zgjedhor, është evidentuar një rënie e numrit të incidenteve zgjedhore dhe ngjarjeve të lidhura me procesin zgjedhor me 16 raste më pak. Në total janë evidentuar 44 incidente dhe ngjarje zgjedhore, nga të cilat 8 raste janë evidentuar para fushatës elektorale dhe 36 raste gjatë fushatës elektorale. Numri më i madh i tyre ka ndodhur në qarkun e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës e Vlorës. Theksojmë se kryesisht kemi të bëjmë me incidente të lehta, ku më të dukshme kanë qenë veprimet për dëmtimet e prishjet e posterave, simboleve, flamujve, e zyrat elektorale të subjekteve politikë, që zënë rreth 65 % të numrit të përgjithshëm. Ndërkohë në 25% të rasteve kemi të bëjmë me kanosje, përdorim dhune ndaj përfaqësuesve të subjekteve politike, etj”,- tha Burgaj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›