Strasburgu dhe SHBA: Zgjedhjet u certifikuan, humbësit të bashkëpunojnë me fituesit
Bashkëraporterët e Këshillit të Evropës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, dorëzojnë në Asamblenë Parlamentare raportin për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, ku theksojnë se s’ka kufizim për numërimin e votave në kutinë e gabuar. Kreu i vëzhguesve të ODIHR, amerikani Xhonatan Stonestreet bën thirrje për nisjen e reformës zgjedhore, duke kërkuar konsensus, më shumë sesa ngutje prej urgjencës
“Nuk ka kufizim për numërimin e votave në kutinë e gabuar”. Në këtë konkluzion kanë arritur bashkëraporterët e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, të cilët kanë dorëzuar në Asamblenë parlamentare një raport në lidhje me zgjedhjet lokale të 8 majit në vendin tonë. Dy bashkëraporterët vizituan Shqipërinë në datat 30 qershor deri më 1 korrik, ku u takuan me autoritetet më të larta të vendit.
Në raportin e tyre, thuhet se pavarësisht kundërshtimeve, praktika europiane flet se asnjë pengesë administrative nuk mund të pengojë numërimin e çdo vote. Sipas bashkëraporterëve, një gjë të tillë respektoi Kolegji Zgjedhor. “Në lidhje me vlefshmërinë e votave, Kodi Zgjedhor shqiptar jep një listë të detajuar të kritereve për shpalljen e pavlefshme të fletës së votimit. Duke pasur parasysh detajet dhe kohëzgjatjen e kësaj liste, na u duk se ligjvënësit kishin për qëllim që kjo listë të ishte shteruese. Kjo u konfirmua nga një numër bashkëbiseduesish, të cilët na informuan se komiteti ndërpartiak, që ka hartuar Kodin Zgjedhor, donte të vendoste një listë të qartë të kritereve për shpalljen e votave të pavlefshme, në mënyrë që të mos japin asnjë diskrecion mbi këtë çështje te komisionet e zgjedhjeve, pasi kjo ka qenë burim mosmarrëveshjesh në të kaluarën. Përveç kësaj, sipas standardeve europiane, duhet të ushtrohet kufizim maksimal në lidhje me pavlefshmërinë e votave. Për ne do të dukej që heqja e të drejtës së votimit të një votuesi për gabime rigoroze administrative do të binte ndesh me këtë parim. Argumente të ngjashme janë shprehur nga Kolegji Zgjedhor, kur ai vendosi për çështjen e fletëve të votimit të hedhura gabim. Kjo çështje nuk u ndoq më tej nga PS pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se “lidhur me pyetjen nëse KQZ-ja mund të konsiderohet si një administratë zgjedhore e nivelit të dytë, çështja është nëse KQZ-ja kishte nevojë për një shumicë 2/3, ose vetëm një shumicë të thjeshtë, të urdhërojë rinumërimin e votave të pavlefshme. Një shumicë e kualifikuar është e nevojshme për aktet normative të KQZ-së. Megjithatë, Kolegji Zgjedhor vendosi se vendimi për të urdhëruar rinumërimin e fletëve të votimit të hedhura në kuti të gabuar u mor nga KQZ-ja si KZAZ dhe nuk ishte një akt normativ. Prandaj, vendosi se vendimi për të urdhëruar rinumërimin në Tiranë mund të merret me shumicë të thjeshtë. PS-ja u shpreh për faktin se KQZ-ja kishte urdhëruar vetëm një rinumërim të votave të hedhura gabim në ato vendvotime, ku ankesat zyrtare kundër shfuqizimit të këtyre votave kishin qenë të regjistruara. Kolegji Zgjedhor për këtë çështje urdhëroi një rinumërim të gjitha fletëve të votimit të hedhura gabim në Tiranë”.
Raporti jep edhe disa konkluzione të tjera, të cilat flasin për situatën postzgjedhore, duke rekomanduar se zgjedhjet janë pranuar nga qytetarët shqiptarë.
“Situata politike ‘stand-off’ gjatë këtyre zgjedhjeve ka theksuar sërish nevojën për të përmirësuar proceset vendimmarrëse demokratike nga vetë palët. Demokracia e brendshme partiake ka qenë e kritikuar nga anëtarë brenda dy partive, Socialiste dhe Demokratike. E një rëndësie të madhe është që palët të pranojnë pikëpamjet alternative dhe disidente dhe të mos i portretizojnë ato si tradhti për problemet e partisë. Një zhvillim i mirëpritur është se komuniteti ndërkombëtar ka vepruar në unison nën koordinimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-së. Kjo ka qenë e rëndësishme për të shmangur përshkallëzimin dhe ndërkombëtarizimin e konfliktit dhe ka kontribuar në pranimin përfundimtar të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga ana e palëve, duke përfshirë, më e rëndësishmja, votuesit shqiptarë. Ajo ishte dhe është e një rëndësie vendimtare për të ruajtur legjitimitetin e institucioneve vendore dhe respektin për vendimet e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjen zgjedhore. Prandaj, në të gjitha rastet, ne kemi theksuar nevojën që të gjitha palët të pranojnë e të përmbahen nga vendimet e gjykatave dhe të përmbahen nga deklaratat që mund të perceptohen si minim i legjitimitetit të Gjyqësorit shqiptar”, vijojnë në konkluzionet e tyre, dy bashkëraporterët e Këshillit të Europës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco.