Burgaj: Policia italiane dhe ajo shqiptare sekuestrojnë 1.1 ton cannabis sattiva
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, bëri të ditur se gjatë natës së mbrëmshme është zhvilluar një operacion i përbashkët me Autoritetet policore Italiane, gjatë të cilit u bë e mundur bllokimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike prej rreth 1 ton e 115, 5 kg, si dhe arrestimi i 7 personave. Në një deklaratë për shtyp, Burgaj tha ky operacion i rëndësishëm u zhvillua mbrëmë, pas konstatimit nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare të mjeteve të shpejta lundruese të cilët po lëviznin në ujërat detare. “Në sajë të këtij bashkëpunimi të suksesshëm u bë i mundur bllokimi në zonën e Leçes në Itali i një sasie prej rreth 900 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, si dhe kapja e 3 shtetasve shqiptarë, emrat e të cilëve do bëhen të ditur në një moment të dytë”, bëri të ditur drejtori i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, sipas tij, po në vijim të këtij operacioni nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 215.5 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, si dhe arrestimi i 4 shtetasve.