Burgaj: Shqipëria, jo “Kolumbi e drogës”
TIRANË – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, mohoi pretendimet e medias greke, të cilat ditët e fundit kanë aluduar se Shqipëria është kthyer në një “Kolumbi e drogës” dhe se Policia shqiptare nuk kontrollon dot territorin e vendit.
Në një konferencë mbi sigurinë e kufirit, mbajtur sot në Tiranë, kreu i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, tha se nuk ka dhe nuk do ketë asnjë zonë ku nuk do të futet policia. “Nuk do ketë asnjë zonë që Policia e Shtetit nuk do të hyjë. Lazarati as që mund të diskutohet si Kolumbia e Shqipërisë, do të marrim të gjitha masat që në të gjithë vendin të mos ketë asnjë bimë Cannabis sativa”, - është shprehur kryepolici Hysni Burgaj.
“Rrethi i Kalasë”, pranga 24-vjeçarit me 673 gramë Cannabis
ELBASAN – Pranga 24-vjeçarit, iu gjetën 673.6 gramë Canabis sativa. Policia e Elbasanit njofton se në bazë të operacionit të koduar “Rrethi i Kalasë” ka vënë në pranga Ervin Hoxhollin, 24 vjeç. Arrestimi i tij është kryer pas një kontrolli fizik të kryer, ku i është gjetur një sasi prej 526 gramësh lëndë narkotike. Pas kontrollit të banesës iu gjet dhe një sasi lënde narkotike Cannabis sativa me peshë 147.2 gramë, ku me peshë të përgjithshme e gjithë lënda është 673.6 gramë.
Sipas hetimeve, Hoxholli merrej me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit dhe uniformat blu prej kohësh kishin rënë në gjurmët e tij.
Goditet nga kriku i betonieres, gjen vdekjen punëtori
TIRANË – Goditet nga kriku i betonieres, gjen vdekjen Eqerem Saphiu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Allias të Tiranës. Policia njofton se shtetasi Eqerem Spahiu ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti me betonieren me të cilën ai po punonte. Sipas të dhënave, aksidenti ka ndodhur në orën 14:00 kur kriku i betonieres ka goditur viktimën duke i shkaktuar vdekjen në vend. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe mësohet se ka shoqëruar në komisariat teknikun e betonieres.
Ai po hetohet nëse ka zbatuar rregullat e sigurimit në punë, ndërsa policia po vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive mbi ngjarjen.
Aksidentet, dy të vdekur gjatë 24 orëve të fundit
LUSHNJË-BILISHT – Dy aksidente me pasoja të rënda kanë ndodhur ditën e djeshme në rrugët e vendit. Një 5-vjeçare dhe një 53-vjeçar kanë humbur jetën si pasojë e tyre.
Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 03:45, në aksin rrugor Bilisht-Miras, ku shtetasi Thanas Temo, duke drejtuar mjetin e tij tip “Benz”, është përplasur me një karrocë dhe për pasojë ka gjetur vdekjen 53-vjeçari Arif Aliko.
Vetëm disa orë më pas, një aksident tjetër është regjistruar në Lushnjë, në vendin e quajtur “Kthesa e Çermës”, aksident që i ka marrë jetën një vajze pesëvjeçare me inicialet L. D. Sipas Policisë së Lushnjës mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në orën 12:00, në rrugën Çermë-Divjakë, në vendin e quajtur “Kthesa e Çermës”. Aksidenti është shkaktuar nga automjeti tip kamionçinë me targë LU 6604 B, i cili drejtohej nga shtetasi Azis H., 45 vjeç. Goditja e makinës ka qenë fatale për vajzën, e cila ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes në spital. Ndërkohë policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit.
Përplasja me armë, arrestohet i shpalluri në kërkim
KRUJË – Arrestohet i kërkuari për përplasjen me armë në fshatin Halil të Krujës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë bënë të mundur ndalimin e personit të tretë të përfshirë në ngjarjen me armë zjarri të ndodhur më datë 27.03.2010, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. “Më datë 30.03.2010, ora 14:30, u bë ndalimi i Klodjan Keqit, 28 vjeç, lindur e banues në fshatin Halil të Krujës”, – bën të ditur Policia e këtij qyteti.
Po sipas policisë mësohet se Prokuroria e Krujës ka nxjerrë ndaj këtij personi një urdhër për ndalimin e tij, pasi së bashku me vëllanë e tij, Jetmir Keqi, i cili tashmë është arrestuar, por njëkohësisht dhe i dëmtuar nga kjo ngjarje, dyshohet se kane tentuar të vrasin me armë zjarri Mustafa Dacin, i cili edhe ky mbeti i dëmtuar e më pas u arrestua në flagrancë për veprat penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të gjahut". Kapja e Klodjan Keqit u bë e mundur në banesën e tij ku pas kontrollit iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale edhe arma e zjarrit, automatik model 56, i cili mendohet të jetë përdorur në këtë ngjarje. Materialet për veprat penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Krujës.
Grabiten tubacionet, nafta derdhet në tokë
BALLSH – Priten dhe grabiten tubat e naftës në Ballsh. Situatë mjaft e rëndë paraqitet në zonën naftëmbajtëse të Marinzës. Vite më parë, ndërsa njihej si një zonë tepër aktive në Fier, ajo sot ka humbur jo vetëm pamjen, por edhe funksionin. Persona të paidentifikuar kanë prerë dhe grabitur tubacionet, gjë që duket se ka nisur kohë më parë. Por duket se grabitja e tubave vazhdon ende, pasi aty mund të gjenden mjetet e punës pranë vendeve të gërmimit. Përveç dëmit material, një tjetër dëm më i madh po i kanoset kësaj zone për shkak të derdhjes së naftës në tokë, në segmentet ku tubacioni i naftës është dëmtuar. Vjedhja e tubave ka nxjerrë jashtë funksionit shumë puse nafte, ndërkohë që ende nuk janë marrë masa për këtë fenomen që po rrit gjithnjë e më tepër dëmin financiar dhe atë ekologjik.
1 Prill 2010