E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, arrestohen 5 studentë duke pirë hashash në konvikt



GJIROKASTËR – Ishin mbledhur në një nga dhomat e shumta të konviktit të Universitetit “Eqrem Çabej” duke tymosur hashash, por arrestohen nga Policia e Gjirokastrës. Pesë studentët e këtij universiteti tashmë ndodhen pas hekurave me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Policia nuk bën të ditur identitetin e tyre të plotë, por vetëm inicialet. Ata janë: E. E., 25 vjeç, lindur dhe banues në Mallakastër; M. B., 22 vjeç, lindur dhe banues në Berat; M. R., 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; R. S., 23 vjeç, lindur dhe banues në Mallakastër; M. M., 22 vjeç, lindur dhe banues në Përmet.
Kontrolli
Kanë qenë disa qytetarë që i kanë dhënë informacionet e para policisë se disa studentë përdornin lëndë narkotike. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, uniformat blu janë organizuar dhe rreth orës 19:00 të dy netëve më parë kanë “mësyrë” në ambientet e konviktit ku janë të akomoduar studentët meshkuj të Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, por edhe në konviktin e nxënësve të Shkollës së Mesme Pedagogjike dhe Industriale Gjirokastër. Pas kontrollit në ambientet e konvikteve rezultoi se në katin e katërt të konviktit ku janë akomoduar studentët meshkuj, në njërën nga dhomat janë gjetur 5 studentë, të cilët ishin duke konsumuar cigare me lëndë narkotike hashash. Nga kontrolli i mëtejshëm rezultoi se në afërsi të dritares së kësaj dhome u gjet një sasi e dyshuar si lëndë narkotike e mbështjellë me letër plastmasi transparent me peshë 11.2 gramë. Menjëherë u kryen veprimet e para hetimore, u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale dhe arrestimi në flagrancë i studentëve.
Hetimet
Menjëherë pas arrestimit të pesë studentëve, Policia e Gjirokastrës ka nisur punën për të identifikuar dhe më pas arrestuar personat, të cilët kanë shpërndarë lëndën narkotike në konvikt. Mësohet se studentët e arrestuar janë marrë në pyetje nga uniformat blu me shpresën për të gjetur të dhëna të mjaftueshme që do të çojnë te shitësi i lëndës narkotike.
Gjatë kohëve të fundit është shtuar ndjeshëm numri i gjimnazistëve dhe studentëve që konsumojnë lëndë narkotike. Vetëm pak kohë më parë, disa persona u arrestuan në Librazhd, pasi sipas policisë, ata merreshin me shitjen e lëndëve narkotike pranë gjimnazeve të Librazhdit dhe Përrenjasit.

Të arrestuarit

1. E. E, i datëlindjes 1985, lindur dhe banues në Mallakastër, student.
2. M. B, i datëlindjes 1988, lindur dhe banues në Berat, student.
3. M. R, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në Tiranë, student.
4. R. S, i datëlindjes 1987, lindur dhe banues në Mallakastër, student.
5. M. M, i datëlindjes 1988, lindur dhe banues në Përmet.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›