E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri shkrumbon një dyqan në kryeqytet



TIRANË – Shkrumbohet nga flakët një dyqan aksesorësh në Tiranë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një dyqan në afërsi të Rrugës së Dibrës në kryeqytet dhe si pasojë janë shkaktuar dëme të shumta materiale, por nuk ka pasur të lënduar.
Sipas hetimeve paraprake rezulton se dyqani ka marrë flakë nga një shkëndijë apo qark i shkurtër në rrjetin elektrik. Policia thotë se i gjithë malli që ndodhej në dyqan është dëmtuar nga zjarri, ndërsa në vendin ku ndodhi ngjarja mbërritën forcat e zjarrfikësve që shuan flakët duke ndërprerje përhapjen e mëtejshme të tyre. Flakët kanë rrezikuar disa banesa pranë dyqanit në të cilin shiteshin kryesisht aksesorë të ndryshëm.

I penduari i bandës së Lushnjës rrëfen kurthin që i ngritën për ta vrarë

Procesi ndaj Aldo Bares ka nisur dje me një dëshmi nëpërmjet vidio-konferencës. Në seancën e djeshme ka dëshmuar Arben Kicja, i njohur si bashkëpunëtor i Drejtësisë, ku ka folur për dy episode.
Po gjatë seancës së djeshme, i pandehuri Bare ka vendosur të flasë për herë të parë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij dhe qëndrimit që ka mbajtur Drejtësia shqiptare deri tani.
Aldo Bare, i njohur si kreu i bandës së Lushnjës, e ka cilësuar dje procesin e tij gjyqësor si një proces i montuar nga shteti. I pandehuri ka bërë ironi për kundërshtimin e tre kërkesave të tij, duke falënderuar gjykatën për tre pafajësitë që kishte dhënë. “Faleminderit që më dhatë mundësinë të flas. Para se të nisë ky proces gjyqësor dua të them se e gjithë kjo që po thuhet këtu është një farsë, një proces i montuar nga shteti. Dua t’ju falënderoj që më keni dhënë kurajën duke u mirinformuar brenda në qelitë e burgut, që i përngjajnë atyre të Kafkës dhe Dantes, për gjithë këtë dosje voluminoze. Dua t’ju falënderoj për tri vendimet e pafajësisë që keni dhënë ndaj meje. Jeni e vetmja gjykatë që keni dhënë tri pafajësi. Në burg edhe një handikapat më thotë ‘mos shko në gjykatë se vendimi është marrë tani’. Këto vendime, edhe i madhi Kafka do t’i kishte zili”, - tha dje Bare.
Dëshmitari i thirrur dje nga gjykata për të dhënë deklarimet e radhës ishte Arben Kicja, i njohur si bashkëpunëtor i Drejtësisë. Ndërkohë që dëshmitarët tjerë, Gramoz Selmani, Afrim Daja, Dritan Gjyla, Alfred Gjyla, Lorenc Daja, sipas gjykatës, ndodhen në Greqi. Pas deklarimit se është paraqitur dëshmitari i Drejtësisë, Arben Kicja, Bare ka reaguar sërish. “Ky dëshmitar nuk e di as vetë se për çfarë do të flasë. Ai nuk është as në hasmëri dhe nuk e kuptoj këtë komedi të turpit. Nuk e di kush e ka mbrojtur”, - tha Bare, të cilit iu ndërpre fjala nga gjyqtarja Hajdari. Dëshmia e Kices u dha me video-konferencë dhe me dyer të mbyllura për publikun. Dëshmitari, për katër orë me radhë, pa u përballur me Baren, personi i cili tentoi ta vriste, ka treguar atë çka ai dinte në lidhje me ngjarjet kriminale në qytetin e Lushnjës.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›