E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej nga Italia, arrestohet në Tiranë i dënuari me 22 vite



TIRANË – Ishte shpallur në kërkim nga Drejtësia italiane, arrestohet në Shqipëri Aleksandër Agaci. Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga 35-vjeçarin pasi për të Gjykata e Torinos ka dhënë një vendim duke e shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe e kishte dënuar atë me 22 vite burg. Prej kohësh, Policia shqiptare kishte rënë në gjurmët e Agacit dhe më në fund e arrestoi atë ditën e djeshme.
Pas arrestimit tashmë pritet plotësimi i procedurave për ekstradimin e tij në Itali, ku dhe do të vuajë dënimin e marrë nga Gjykata e Torinos.

Pranga një shqiptari dhe një greku, tentuan të vidhnin bankën

ATHINË – Pranga një shqiptari dhe një greku, të cilët tentuan të vidhnin një bankë në kryeqytetin helen. Sipas Policisë greke, ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, por grabitësit nuk arritën ta finalizonin planin e tyre, pasi u arrestuan nga uniformat blu.
Sipas mediave greke mësohet se i dyshuari kryesor, i veshur sportiv, ka hyrë në bankë duke mbajtur një pako në duar dhe kërcënoi menaxherin e bankës duke i thënë se në duar kishte një bombë. Ai ka boshatisur arkën e bankës ku ndodheshin monedha dhe kërkoi që të hapej kasaforta e bankës. Por në kohën e hapjes së kasafortës u aktivizua sistemi i alarmit që i lejoi oficerët e policisë të rrethonin godinën. Policia arrestoi menjëherë shqiptarin i cili në fakt kishte rol dytësor, pasi vetëm po ruante bashkëpunëtorin e tij që hyri në ndërtesë. Më pas policia arrestoi dhe të dyshuarin kryesor në këtë tentativë vjedhjeje.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›