Vrasja në Tiranë, hetohet e kaluara e viktimës
TIRANË – Ngrihen pistat e para të hetimit për vrasjen e dy netëve më parë të Spartak Canajt. E shkuara e viktimës dhe konfliktet e pronësisë për një pallat në zonën e Yzberishtit janë dy nga pistat ku po heton grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje. Ndërkohë që Policia e Tiranës ka shoqëruar 20 persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë vrasjes së parmbrëmshme.
Hetimet
Kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të atentatit mafioz të ndodhur dy net më parë pranë shkolis “Vasil Shanto” në Tiranë, ku mbeti i vrarë 36-vjeçari Spartak Canaj. Burime nga Policia e kryeqytetit bëjnë të ditur se deri tani janë shoqëruar në ambientet e policisë një numër i madh personash, të cilët dyshohen se kanë dijeni mbi konfliktet që mund të ketë pasur viktima.
Edhe pse jo në mënyrë zyrtare, mësohet se tashmë janë ngritur pistat e para të hetimit. Sipas burimeve nga grupi i hetimit mësohet se njëra prej tyre, dhe më kryesorja, ka lidhje me zbardhjen e të kaluarës së viktimës që mendohet të ketë qenë e implikuar në afera kriminale dhe që sipas prokurorisë, ka dyshime se i ekzekutuari ka pasur lidhje me të ashtuquajturin “Grupi i Yzberishtit”, i njohur për një sërë grabitjesh dhe ngjarjesh të tjera kriminale në Tiranë.
Pista e dytë ka lidhje me blerjen e një sipërfaqeje toke nga viktima në Yzberisht dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar aty një pallat. Por, sipas burimeve nga grupi hetimor, këto pista janë paraprake dhe se gjatë orëve në vazhdim pritet intensifikimi i mbledhjes së të dhënave që do të çojnë në zbardhjen e shkaqeve të vërteta të vrasjes dhe më pas autorët e saj.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, pranë shkollës “Vasil Shanto”, ku një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Spartak Canajt duke i shkaktuar atij plagë të rënda, të cilat më pas çuan dhe në vdekjen e tij. Ai ka qenë duke hipur në makinën e tij “Fiat Punto” në çastin ku personi ka zbrazur nga arma tip pistoletë pesë plumba. Viktima ishte vetëm dhe policia dyshon që edhe vrasësi ka qenë i pashoqëruar nga persona të tjerë. Ekspertët e kriminalistikës bëjnë të ditur se autori e ka qëlluar në kokë dhe në qafë për ta vrarë dhe është larguar i bindur që e ka vrarë, ndërsa 36-vjeçari ka humbur jetën në duart e mjekëve të Spitalit Ushtarak.
E shkuara e viktimës
Spartak Canaj ka një të kaluar me precedentë kriminalë. Më datë 27.02.2003, Gjykata e Tiranës, me Vendimin Nr.520, e ka shpallur fajtor Canajn për veprën penale të “kanosjes” në bashkëpunim, duke e dënuar atë me 11 muaj burg. Sipas organit të akuzës, më datë 27.10.2002, Spartak Canaj, bashkë me një person tjetër me inicialet Sh.B., kanë kanosur dhe kanë tentuar të fusin në makinë me forcë dy vajzat me banim në Tiranë. Por më pas, gjatë gjykimit të kësaj çështjeje, dy vajzat kanë deklaruar se nuk janë marrë më forcë nga dy të pandehurit, gjë kjo që i lehtësoi pozitat e dy të pandehurve. Gjithashtu mësohet se Canaj ka qenë i dënuar dhe më parë për veprën penale të “vjedhjes”.
Shfrytëzonte si prostitutë 16-vjeçaren, pranga tutorit, hetohet e mitura
ELBASAN – Shfrytëzonte si prostitutë një 16-vjeçare, arrestohet tutori. Policia e qytetit të Elbasanit bën të ditur se, në sajë të operacionit policor të koduar “Hëna e re”, ka vënë në pranga ditën e djeshme 32-vjeçarin Agim Brahja, i cili ishte tutori i së miturës.
Brahja kishte marrë me qira një banesë, të cilën e kishte shndërruar në një “shtëpi publike” ku shfrytëzonte si prostitutë të miturën me inicialet N. B. Pas një hetimi të gjatë, uniformat blu të këtij qyteti arritën të dokumentonin aktivitetin kriminal të 32-vjeçarit duke e arrestuar atë, por në të njëjtën kohë ka nisur dhe një hetim në gjendje të lirë për vajzën 16-vjeçare.
Sipas hetimeve mësohet se i arrestuari Agim Brahja, për çdo klient të vajzës përfitonte 4000–5000 lekë të rinj.
Gjatë momentit të arrestimit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 4000 lekë të rinj si dhe objekte të tjera, të cilat kanë shërbyer për realizimin e kësaj veprimtarie. Nga ana e saj, policia e këtij qyteti është duke punuar për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale, si dhe kanë nisur punën për të identifikuar persona të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet. Mbi Brahjan rëndon akuza “shfrytëzim i prostitucionit”, ndërsa për vajzën 16-vjeçare polica ka nisur hetimin në gjendje të lirë për akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”, pasi ende nuk është sqaruar pozicioni i saj në këtë ngjarje.
Gjatë kohëve të fundit, uniformat blu të vendit kanë bërë një sërë arrestimesh lidhur me këtë vepër penale.
Rasti më i rëndë është regjistruar rreth dy muaj më parë në qytetin e Durrësit, kur një 63-vjeçar shfrytëzonte bashkëshorten e tij dhe një femër tjetër si prostituta për më shumë se një vit. Sipas policisë, në atë kohë u mësua se 63-vjeçari M. K. mbante në shtëpi dhe djalin e tij gjatë kohës kur e ëma prostituonte. Në banesën e këtij të fundit nga ana e policisë është bërë i mundur sekuestrimi i shumës prej 125 mijë lekësh, 70 eurosh, 11 dollarësh, 20 paundve, 132 prezervativëve, 2 pako kontraceptivë oralë, një armë gjahu, 3 aparate celulare.
Raste të zbulimit të “shtëpive publike” ka pasur dhe në Tiranë, ku gjatë kohëve të fundit janë venë në pranga disa persona të akuzuar për “shfrytëzim prostitucioni”.
1 Prill 2010