E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e gjykatave, Topi këshillohet me Withers

Bisedimet

Vetëm pak ditë pas deklaratës publike në lidhje me rrëzimin e Vangjel Kostës nga ana e mazhorancës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Situata politike në vend dhe zhvillimet në sistemin gjyqësor ka qenë objekti i takimit që është zhvilluar pa praninë e mediave. Zyra e shtypit e kreut të shtetit ka lëshuar një njoftim të shkurtër, në të cilin theksohet se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pati një takim pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John L. Withers II. Biseda mes kreut të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatik të aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe çështjeve të gjyqësorit shqiptar për sa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër”. Një detaj i rëndësishëm gjatë takimit ka qenë edhe prezenca e këshilltarit juridik të presidentit Spiro Peçi, i cili është zyrtari më i afërt i kreut të shtetit që merret me menaxhimin e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në takim mësohet se diplomati i Uashingtonit ka dhënë mbështetjen e tij për forcimin e pavarësisë së institucioneve shqiptare, duke emëruar njerëz me integritet profesional dhe të shkëputur nga politika. Javën e ardhshme pritet që mazhoranca të japë një tjetër provë për emërimin e kandidaturave të Presidentit për Gjykatën e Lartë, ku me këtë rast ka ndryshuar edhe rregulloren, duke hequr votimin e fshehtë për personat, një rregull ky që është sanksionuar prej vitesh në demokracinë parlamentare në vend. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John Withers, deklaroi javën e shkuar se
të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej Parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, z. Vangjel Kosta. Ndërkaq, dje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së misionit të NATO-s në Shqipëri. Si vend anëtar, Tirana zyrtare përfaqësohet në institucionet më të larta të Aleancës së Atlantikut Verior. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, admirali Mark Ficxherald, komandanti i Komandës së NATO-s, gjeneral brigade Dincho Ivanov Karamunchev, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›