Burgaj, krimi ndaj pronës alarmant
Kryepolici i Tiranës, tha dje se gjatë punës një vjeçare ishin goditur grupe kriminale, ndaj keqbërësve të pronës dhe krimit ekonomik
Drejtori i Policisë së Shtetit kritikoi moszbulimin e krimeve të vjedhjeve, grabitjes së automjeteve. Mospërputhje shifrash drejtori- komisariate
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Parë, Hysni Burgaj, ka lëshuar dje kritika ndaj strukturave të Policisë së kryeqytetit për nivelin e zbulueshmërisë së krimeve, gjatë analizës njëvjeçare të drejtorisë së policisë më të madhe në vend. Kryepolici kritikoi veçanërisht punën e bërë nga sektori Kundër Krimeve ndaj Pronës, ku gjatë vitit 2009, zbulueshmëria e tyre ka qenë 42 %.
Këtë qëndrim drejtuesi i Policisë Shqiptare e mbajti në analizën njëvjeçare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku përveç kritikave, Burgaj ka përmendur edhe arritjet në sektorë të Policisë së kryeqytetit. "Ka rezultate të dobëta në zbulueshmërinë e krimeve kundër pronës.
Ka disa figura krimi ndaj pronës, si vjedhja e automjeteve, ku zbulueshmëria shkon deri në 15 %.
Këto shifra tregojnë edhe një problem tjetër, i cili u përmend në analizën tuaj, faktin që personat me precedentë kriminalë në këto fusha nuk mbahen nën kontroll"- u shpreh dje numri një i uniformave blu. Jo vetëm lufta ndaj krimeve kundër pronës ka qenë në qendër të kritikave të drejtuesit të Policisë së Shtetit, por edhe lufta kundër narkotikëve.
Sipas Burgajt, rezultatet në luftën kundër drogës duket të kenë një rënie të konsiderueshme, e cila nuk mund të justifikohet me rënien e menjëhershme të trafikut të lendeve narkotike. Kjo mund të justifikohet edhe me dëmtimin e grupit të hetuesve antidrogë në fillim të vitit në një aksident rrugor.
Ai u shpreh se nuk ka rezultate të mira në zbulimin e trafikimit të drogave, por rezultatet në këtë drejtim paraqiten vetëm në kapjen e shpërndarësve të drogës, që nuk përputhet me realitetin, pasi nuk mund të ketë shpërndarje pa trafikim. Para se Burgaj të merrte fjalën, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, foli për rezultatet e strukturës që ai drejton gjatë vitit 2009.
Gjatë këtij viti, në territorin e qarkut të Tiranës, policia ka evidentuar 4828 vepra penale, duke zbuluar 82 % të tyre dhe janë arrestuar 1100 persona, të akuzuar për krime të ndryshme. Nga rezultatet e prezantuara dje nga drejtuesit e Policisë së Tiranës, shikohet që zyra kundër krimeve ndaj pronës ka rezultatet më të ulëta, ku nga 1247 vepra penale kundër pronës, vetëm 42% e tyre janë zbuluar.
Nga rezultatet e publikuara dje në analizën e drejtorisë së Policisë së Tiranës, krimet ndaj pronës kanë shënuar numrin më të lartë nga të gjitha llojet e krimeve gjatë këtij viti, por që zbulueshmëria e tyre nuk ka kaluar as gjysmën e ngjarjeve të ndodhura.
Në fushën e krimeve ndaj personit, blutë e kryeqytetit kanë konstatuar 207 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 194 prej tyre dhe janë arrestuar 114 persona, ndërsa 36 janë të shpallur në kërkim.
Pavarësisht se kritikat e drejtorit të Policisë së Shtetit ishin edhe për luftën kundër lëndëve narkotike, nga shifrat e prezantuara dje, tregohet se nga 127 raste të konstatuara për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike janë zbuluar të gjitha, duke çuar në pranga për këtë akuzë 108 persona.
Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, gjatë këtij viti ka arrestuar 207 persona, ku 39 prej tyre kanë qenë në kërkim për veprën penale të vrasjes, për vrasje të ndodhur gjatë vitit 2009 dhe vitet e mëparshme. Strukturat e Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës gjatë vitit 2009 kanë arrestuar 172 persona, të akuzuar për korrupsion dhe falsifikim.
Operacioni më i fundit i koduar "Piramida" që u finalizua fundjavën që kaloi çoi në pranga 26 të akuzuar për falsifikimin e kartëmonedhave të prerjeve të ndryshme.
Burgaj: Shifrat janë kontradiktore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kundërshtuar edhe shifrat e publikuara nga drejtuesit e Policisë së Tiranës, në analizën njëvjeçare të saj. Sipas tij, midis tabelës së rezultateve të zbulueshmërisë për Krimet e Rënda dhe nga të dhënat e zbulueshmërisë në përqindje të komisariateve ka një mospërputhje logjike dhe matematike.
Është i paqartë fakti i kësaj statistike të komisariateve të policisë dhe tabelës përmbledhëse më sipër, ku rezulton se krimet kundër personit dhe pronës kanë rritje, fuqia zbuluese ka rënie, ndërsa komisariatet e kanë fuqinë zbuluese mesatarisht 94-95 %.
Në fakt, duhet të pyesim, se çfarë zbulojnë komisariatet, kur rezultatet e Drejtorisë janë 79 %? Kush është kontributi i tyre në luftën kundër kriminalitetit, kur zbulimi i krimit të vjedhjes së pronës është rreth 42%?
Ministri Basha vjen me vonesë në analizën vjetore
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, nuk ka qenë i pranishëm që në fillim të prezantimit të analizës së punës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Kreu i dikasterit të Brendshëm ka mbërritur pasi kishte përfunduar paraqitja e rezultateve të punës së drejtorisë së policisë më të madhe në vend, prezantuar nga vetë drejtori Tonin Vocaj.
Në momentet e mbërritjes së Bashës, fjalën e kishte marrë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtues i Parë Hysni Burgaj, i cili në fjalën e tij lëshoi disa kritika për rezultatet e paraqitua, për sa i përket luftës kundër krimeve ndaj pronës dhe narkotikëve. Pas përfundimit të fjalës së Burgajt, analiza ka vazhduar pa praninë e medieve.
Aksidentet
Aksidentet automobilistike, 76 të vdekur gjatë këtij viti
Aksidentet rrugore gjatë këtij viti kanë shënuar 76 viktima, që kanë humbur jetën në 587 aksidente të ndodhura në qarkun e Tiranës. Këtij numri i janë shtuar edhe 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 të tjerë të plagosur lehtë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtuesi i Parë Tonin Vocaj gjatë fjalës së tij në analizën e Policisë së kryeqytetit për këtë vit u shpreh se dy shkaqet kryesore të numrit të lartë të aksidenteve kanë qenë shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe përdorimi i alkoolit nga drejtuesit e automjeteve që janë bërë shkaktarë të aksidenteve.
Sot pritet analiza e departamentit të hetimit të krimeve
Pas zhvillimit të analizës vjetore në drejtoritë e Policisë në Qarqe, dje prezantoi rezultatet e punës një vjeçare Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. Gjatë analizës së djeshme prezantuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, u paraqitën rezultatet për çdo sektor të kësaj strukture.
Në analizën e Policisë së kryeqytetit ishin të pranishëm, përveç drejtuesve të saj, edhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, drejtues të Policisë së Shtetit, prokurori dhe prefekti i Tiranës. Ndërkohë, sot pritet të zhvillohet analiza e punës për vitin 2009 e Departamentit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të prezantohen rezultatet e punës së kësaj strukture.
Nga Sektori i Krimeve ndaj Personit dhe Pronës gjatë vitit 2009 janë realizuar tetë operacione: Tujani 1. Feniks, Feniks 2, Anteu, Nata e Fundit, Çmontimi, 24 orë dhe Hija e Natës. Operacionet janë organizuar për arrestimin e personave të akuzuar për vrasje, vjedhjes me armë dhe dhunë dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Operacionet antidrogë
Kryqëzimi, Parukeria, Klienti, Qarku i Mbyllur, Kursanti, Mbikalimi, Blloku, Kronisti dhe Pensionisti, me 108 të arrestuar
Nga strukturat e Antikrimit Ekonomiko- Financiar janar realizuar 12 operacione: Parfumi pa Aromë, Bizhuteritë False, Konjaku i Lirë, Modem, Dollari Fals, Rent, Ora e Vonë, Free Travel, Stuko, Black Market dhe Piramida, ku nga ky sektor janë arrestuar 172 persona.
Statistikat
-Sektori Kundër Krimit të Organizuar ka konstatuar 260 vepra penale dhe ka arrestuar 137 persona
-Trafiqet e paligjshme kanë konstatuar 133 vepra penale dhe arrestuar 29 persona.
-Seksioni i Krimeve ndaj Personit ka konstatuar 207 vepra penale dhe arrestuar 114 persona
-Janë evidentuar 1247 krime ndaj pronës dhe janë arrestuar 391 persona
- Janë asistuar dhe ndjekur 638 urdhra mbrojtje të dhunës në familje
- Nga Seksionet e Policimit në Komunitet në Komisariatet e Policisë, janë evidentuar gjithsej 1917 vepra penale dhe arrestuar 174 persona