E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdori si prostitutë 13-vjeçaren, pranga të riut

Elbasan/ Policia ka marrë dëshminë e së miturës, teksa prêt përgjigjen e analizave mjeko-ligjore për arrestime të tjera

ELBASAN - Gjendet në Tiranë 13-vjeçarja që dyshohej se ishte mashtruar nga disa të rinj me qëllim për ta përdorur si prostitutë.

Agjentët e policisë kanë arritur të gjejnë 13-vjeçaren e shpallur në kërkim tri ditë më parë dhe kanë kapur gjithashtu personin me të cilin qe larguar dhe dyshohet se e ka shfrytëzuar seksualisht dhe më pas përdorur për prostitucion.

Fatbardh Çekrezi, 22 vjeç, i arrestuar nga agjentët ishte shpallur në kërkim pasi tri ditë më parë ka marrë një vajzë të mitur 13 vjeç duke e mashtruar me premtime dhe është nisur drejt Tiranës. Familja ka bërë denoncimin në polici për të miturën dhe policia ndaloi një ditë më parë një shtetas, i cili rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen, por 24 orë më pas është arritur tek autori i "rrëmbimit".

Policia ka deklaruar se 22-vjeçari ka qëndruar në lokale e hotele në kryeqytet bashkë me të miturën. Qëllimi i tij ka qenë shfrytëzimi për prostitucion dhe sipas policisë e ka bërë fakt, por ende nuk është vërtetuar nëse personat kanë kryer marrëdhënie në këmbim të parave apo jo me vajzën.

Nga dëshmia e vajzës mësohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 22-vjeçarin dhe është larguar me dëshirë nga shtëpia, por po sipas kësaj dëshmie ka edhe persona të tjerë të akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitura, që dyshohet të jenë edhe klientët e parë që 22-vjeçari kishte gjetur për vajzën. Dëshmia rrënqethëse e 13-vjeçares në prani të psikologes së policisë ka çuar agjentët edhe në shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë.

Pas regjistrimit të dëshmive dhe vizitës mjeko-ligjore, e mitura është dërguar pranë familjes së saj që e kishte shpallur të humbur 4 ditë më parë. Por përpara agjentëve i arrestuari Çekrezi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Ai ka deklaruar se ka qenë me vajzën, por pa asnjë qëllim tjetër, pasi ajo e ka ndjekur me dëshirë. Ai ka thënë se kanë qenë me dëshirën e saj në Tiranë dhe ka hedhur poshtë gjithashtu akuzën për marrëdhënie seksuale me të mitur. "Nuk e kam marrë për ta prostituuar.

Deshi vetë të vinte me mua, dhe erdhi. Nuk i kuptoj këto akuza që më thoni. Janë të gjitha gënjeshtra të ngritura kundër meje". Ndërkohë, agjentët janë duke pritur përfundimet e vizitës mjekësore dhe gjithashtu vlerësimin e dëshmisë së vajzës për të vazhduar procedimin për të riun 22-vjeçar.

Aktualisht ai akuzohet për "shfrytëzim të prostitucionit në rrethana të rënduara" dhe "marrëdhënie seksuale me të mitur të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 114/1,25 100/1 të Kodit Penal. Pritet që policia të lërë të lirë të arrestuarin e një ditë më parë për rastin e vajzës së mitur. Hetimet për këtë rast vazhdojnë për të tjerë të përfshirë dhe grumbullimin e provave për akuzat e ngritura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›