Grabitet kambisti, kyçet në bagazhin e makinës
BERAT/ 43-vjeçari Besim Guri është grabitur, rrahur e goditur nga dy persona të maskuar mëngjesin e së martës
BERAT - I marrin paratë, e rrahin dhe më pas e mbyllin pa ndjenja brenda bagazhit të makinës, duke marrë me vete edhe çelësat. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Beratit, brenda oborrit të shtëpisë së Besim Gurit, i cili punon si kambist.
Burimet zyrtare nga policia bëjnë të ditur se po hetohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, 43-vjeçari i dhunuar ndodhet në spital, në gjendje jo të mirë për shkak të frakturave të shumta të marra në trup.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e së martës, rreth orës 06:30. Kambisti Besim Guri, banues në lagjen "30 Vjetori" ka zbritur nga kati i dytë i shtëpisë për në katin e parë ku ndodhej edhe garazhi ku mbante automjetin e tij.
Por në këtë kohë, dy persona të maskuar dhe të cilët mbanin në duar një automatik dhe një pistoletë kanë hyrë dhe e kanë bllokuar. Nën kërcënimin e armës ata i kanë kërkuar të gjitha paratë që kishin me vete. Sipas ndërtimit të ngjarjes së bërë nga policia, kambisti 43-vjeçar nuk ka kundërshtuar dhe u ka dhënë dy personave një shumë prej rreth 80 mijë lekësh të reja që kishte.
Por duket se kjo shumë ka qenë shumë më e vogël se ajo e pritura nga dy personat, të cilët e kanë rrahur duke e qëlluar disa herë në kokë me qytën e pistoletës dhe automatikut, e më pas e kanë futur Gurin brenda në bagazhin e makinës, ku e kanë mbyllur. Më pas janë larguar nga vend i ngjarjes duke marrë me vete edhe çelësat.
Kërkimi
Pasi ka kaluar njëfarë kohe, familjarët e Besim Gurit janë habitur nga fakti që kryefamiljari nuk e ka ndezur makinën për të lëvizur më pas drejt Urës Vajgurore ku ndodhej edhe dyqani i tij i këmbimit valutor.
Ata kanë zbritur në katin e parë, ku ndodhej garazhi dhe e kanë gjetur të mbyllur, teksa kanë parë që aty kishte pika gjaku. Duke u trembur për jetën e 43-vjeçarit, familjarët kanë njoftuar policinë, pasi nuk kanë gjetur dot kryefamiljarin.
Të mbërritur në vendngjarje, forcat e policisë kanë shqyer dyert e garazhit, por edhe të makinës, ndërsa në bagazh të saj kanë gjetur pa ndjenja 43-vjeçarin Besim Guri. Ky i fundit është marrë dhe është çuar menjëherë në spital, ku i është nënshtruar ndërhyrjes.
Hetimi
Pasi është përmendur, 43-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka rrëfyer para oficerëve të policisë gjyqësore të gjithë ngjarjen.
Mjekët e spitalit pohuan se kambisti kishte marrë goditje që i kishin shkaktuar fraktura, çarje dhe hematoma të theksuara në kokë, megjithatë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas dëshmisë së marrë nga kambisti, policia ka filluar të rindërtojë ngjarjen, ndërsa po hetohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes me armë.