E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prej 10 ditësh e humbur, shpallet në kërkim 14-vjeçarja

DURRËS - Policia ka shpallur në kërkim një 14-vjeçare, e cila rezulton e zhdukur prej 10 ditësh.

Për zhdukjen e saj policia është njoftuar me vonesë, pasi familja kishte konsumuar të gjitha rrugët e mundshme të gjetjes së saj. 14-vjeçarja me inicialet A.K. kishte dalë si zakonisht pranë banesës së saj, por nuk isht ekthyer më, duke shqetësuar prindërit.

Ata fillimisht kanë menduar se ka pasur ndonjë hatërmbetje dhe se do të kthehej sërish, por me kalimin e orëve kanë nisur të shqetësohen.

Pas kësaj e kanë kërkuar tek të afërmit, por asnjë shenjë. Vetëm pasi ka kaluar java dhe vajza nuk dukej gjëkundi, babai ka vendosur t'i drejtohet policisë.

Goditet inspektori i policisë bashkiake të Himarës

VLORË - Ka përfunduar në spital inspektori i Policisë Bashkiake, Kastriot Hallkaj, pasi kishte shkuar për të zbatuar një vendim të kryebashkiakut të Himarës për një ndërtim pa leje.

I goditur në kokë inspektori ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur në kohën që ai bashkë me shefin e policisë bashkiake kishin shkuar për të pezulluar një ndërtim pa leje në zonën e Himarës.

Një gjë e tillë kishte ndodhur pasi disa ditë më parë punonjës të policisë bashkiake kishin konfirmuar se po ndërtohej një ndërtim pa leje. Sipas Hallkajt, në momentin që po largonin punëtorët, ndërsa shefi i policisë bashkiake po debatonte me ndërtuesin Vllado Bollano, ai kishte ndërhyrë për të qetësuar debatin.

Por, Bollano kishte marrë një dru dhe e kishte qëlluar në kokë. Më pas ai ishte dërguar në spitalin e Himarës dhe më pas në Vlorë.

Hallkaj u shpreh se kishte një të çarë rreth 10 centimetra në kokë, ndërsa ai vetë kishte depozituar një kallëzim penal ndaj shtetasit Vllado Bollano për goditje për shkak të detyrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›