E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit ish-deputeti

SHKODËR - Është përcjellë për në banesën e fundit Lekë Çukaj, ish-deputet i PS-së në qarkun e Shkodrës në legjislaturat 1997-2001 dhe 2005-2009. Në hollin e prefekturës së qarkut të Shkodrës janë bërë homazhe para arkivolit me trupin e ish-deputetit që humbi jetën në një aksident automobilistik në mbrëmjen e së dielës.

Përveç qytetarëve të shumtë, në homazhe kanë qenë të pranishëm dhe politikanë të majtë e të djathtë që kanë vendosur kurora e tufa me lule në emër të Parlamentit, kryeparlamentares Topalli, deputetëve socialistë të Shkodrës etj.

Valentina Leskaj, deputet e PS-së, është shprehur se "Lekë Çukaj nuk ka qenë thjesht një numër, por ka qenë një zë në parlament, i lidhur ngushtë me zonën e tij".

Gramoz Ruçi, deputet i PS-së u shpreh se "jemi të gjithë këtu për ta përcjellë me nderime e respekt, se e tillë ka qenë jeta e tij pranë subjektit tonë politik dhe familjes sonë politike". Arben Malaj, deputet i PS-së, tha se "ne do ta kujtojmë gjithmonë si njeri që na ndihmonte për të qenë të qetë në ato që të gjithë së bashku bënim më mirë.

Këtu sot ka mjaft kolegë, të vjetër nga ata që kanë qenë në parlament me të, por dhe të rinj. Madje, këtu janë dhe kolegë të tjerë politikanë, pavarësisht nga ndasitë politike".

Disa nga deputetët e PS-së kanë bërë ngushëllime dhe në familjen e viktimës tjetër të këtij aksidenti, Hasan Guçi, i cili ka qenë shumë pranë Partisë Socialiste në Shkodër prej vitesh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›