Denoncohet për mosdeklarim pasurie kyekomunari i Udënishtit
Akuzohet, nuk deklaroi të ardhurat, një sipërfaqe trualli dhe një subjekt në emrin e tij, vlera e padeklaruar 450 mijë euro
TIRANE- Kreu i Komunës së Udënishtit në Pogradec, është denoncuar dhe dërguar për ndjekje penale nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për mos deklarim të pasurisë së tij.
Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësi i këtij institucioni, Albi Serani, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej tij. Sipas Seranit, Nexhmi Dokollari akuzohet se fshehu, pasurinë për një truall ndërtimi prej 2193 m2, me vlerë ndërtimi mbi 45 milionë lekë të reja. Sipas të njëjtit burim, kallëzimi është kryer në përfundim të një procesi hetimi të plotë administrativ, nga verifikimi në terren dhe ekspertiza e realizuar nga vlerësues të pasurive.
"Në deklaratat e interesave private në vite të ndryshme, subjekti me funksion Kryetar Komune, nuk ka deklaruar një sipërfaqe trualli ndërtimi 600 m2 pas përgjigjes së ZVRPP-së së Pogradecit dhe aktivitetin privat si person fizik për prodhim inertesh e dhënë nga QKR-ja.
Bazuar në këto të dhëna, Inspektorati i Lartë kërkoi sqarime nga subjekti Dokollari, i cili u shpreh se nuk i ka paraqitur në deklaratën e pasurisë pasi, në pronën në emër të tij, të përfituar në vitin 1992 nga ligji Nr.7501, po ndërtohet një objektit 1-2-4 kate, me vlerë totale 8 milionë lekë të reja, "të realizuar me të ardhurat e vëllait të tij, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash". Sipas ILDKP-së, për këto veprime financiare me të afërmin e tij, nuk ka paraqitur në ILDKP asnjë provë që vërteton versionin e tij.
Ndërsa sa i përket aktivitetit privat, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), është shprehur se nuk e ka deklaruar pasi "ky aktivitet nuk është hapur asnjëherë" për probleme teknike me ndotjen e ambientit".
Subjekti Nexhmi Dokollari paraqiti kundërshtimet e tij për përfundimet e raportit, por Inspektorati i Lartë vlerëson se ekzistojnë elementë të vërtetuar me prova ligjore për "fshehjen e pasurisë" nga ana e Kryetarit të Komunës Udenisht, Pogradec.
Në përfundim të analizës së hollësishme mbi vetëdeklarimet e subjektit, ILDKP-ja dërgoi kallëzimin penal në organin e Prokurorisë, duke kërkuar fillimin e procedimit për veprën penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë".