E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj, policëve: S’ka më gjoba në xhamat e makinave

 

Etleva Delia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë jep urdhër për shërbimet e policisë rrugore që t’u japin fund gjobave të vendosura në xhamat e makinave. Prej të hënës, asnjë polic rrugor nuk duhet të vendosë gjoba në xhamat e makinave të parkuara apo edhe në distancë, kur janë në lëvizje, pa komunikuar drejtpërdrejt me drejtuesin e mjetit. Kjo është porosia e parë e dhënë nga kryepolici Burgaj nga dita kur mori detyrën. Në një mbledhje të posaçme me drejtuesit e Policisë Rrugore të 12 qarqeve të vendit, numri një i Policisë së Shtetit ka diskutuar me orë të tëra për problemet aktuale të qarkullimit rrugor, aksidentet dhe trafikun në rrugë. Pasi ka dëgjuar shqetësimet dhe sugjerimet e specialistëve të qarkullimit, Burgaj ka lëshuar edhe një udhëzim. Në bazë të këtij urdhri, policët e qarkullimit privohen në vënien e gjobave pa kontaktuar me drejtuesin e mjetit që ka shkelur rregullat e qarkullimit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se, tashmë edhe nëse një makinë është e parkuar gabim, deri në momentin që shoferi nuk ndodhet pranë automjetit, polici rrugor nuk mund ta ndëshkojë me gjobë. Në bazë të urdhrit të Burgajt, ndalohet edhe gjobitja në distancë e automjeteve, në të gjitha rastet kur shkelen rregullat e qarkullimit. Polici rrugor nuk mund të firmosë një gjobë, thjeshtë duke marrë targën e makinës, që është me shpejtësi, është futur me semafor të kuq etj., pa kontaktuar me drejtuesin e automjetit. Të gjitha këto raste, nëse konstatohet se fleta e gjobës mban vetëm firmën e efektivit të qarkullimit dhe në krah të saj nuk ndodhet edhe firma e drejtuesit të mjetit, kjo gjobë do të shpallet e pavlefshme.
ANKESAT
Aksionet e javëve të fundit të Policisë Rrugore kryesisht në Tiranë, që sollën bllokimin e qindra automjeteve që nuk kishin shlyer gjobat e prapambetura, përveç pagesave që u paguan nga drejtuesit e mjeteve, solli edhe mjaft pakënaqësi dhe ankesa. Nga verifikimi i gjobave që rezultonin të papaguara, mjaft drejtues mjetesh mbetën të habitur në disa raste, pasi nuk iu figuronte në asnjë vend që të kishin marrë një gjobë të caktuar. Burime nga policia thanë se në disa raste madje pretendohej se gjobat mund të ishin vënë edhe gabimisht, në rastet kur ishin vënë në distancë, pasi mund të ishte ngatërruar targa. Në disa raste të tilla rezultonte i gjobitur një automjet që nuk kishte shkelur rregullat e qarkullimit dhe nuk ishte ndëshkuar ai që vërtetë e meritonte gjobën. Në mbledhjen e fundit që u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u vendos që të shmangen këto lloj ngatërresash, duke mos u lejuar më gjobitja në distancë, të paktën jo deri atëherë kur të jenë të instaluara kamerat dhe radarët në rrugë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›