E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët socialistë takojnë banorët e Orikumit

 

Deputetet e PS-së, Eltar Deda, Fatmir Toçi, Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri u takuan dje me banorë të Orikumit dhe përfaqësues të Komisionit të Tokës, ku është diskutuar mbi problemin që ekziston aktualisht në Orikum, problem që pak ditë më parë solli edhe konfrontimin e banorëve me vetë policinë. Pas takimit kanë qenë vetë deputetët e PS-së që kanë kontaktuar me mediat, duke u ndalur rreth takimit të zhvilluar në Orikum. “Ishte një takim në vijimësi të takimit që zhvilloi pak ditë më parë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ndërsa mendojmë se duhet ngritur një komision i posaçëm për ta çuar problemin e Orikumit drejt zgjidhjes. Nuk është se jemi kundër pronarëve, por duhet të zbatohet edhe ajo çfarë vetë Berisha ka premtuar për banorët e Orikumit dhe zonave të tjera për ligjin 7501, ligj i cili nuk po zbatohet, por përkundër saj, familja kryeministrore po tregon hapur përfshirjen e saj në afera korruptive”, u shpreh deputeti socialist Damian Gjiknuri. Deputetët e PS-së janë ndalur edhe në faktin se një problem i tillë është prezent jo vetëm në Orikum, por në të gjithë vendin dhe kryesisht në zonat përgjatë bregdetit, aty ku edhe problemet janë më të mëdha. “Ne i premtojmë banorëve se do të ngremë zërin tonë për ta çuar këtë problem drejt zgjidhjes dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm për t’i dhënë fund problemeve jo vetëm në Orikum, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Gjiknuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›