Itali, kapet grabitësi i bankës në Vlorë
ITALI - Një shqiptar 34-vjeçar, i dënuar me 15 vjet burg në mungesë në Shqipëri për vjedhjen e një banke në Vlorë, është arrestuar dje nga karabinierët në Karasko të Italisë. I riu nga qyteti i Vlorës është arrestuar në një lokal teksa ishte në shoqëri me disa shokë të tij shqiptarë. Sipas policisë shqiptare, bëhet fjalë për Edison Malajn, i cili akuzohet për grabitjen e një banke në qytetin e Vlorës, ngjarje e ndodhur 6 vjet më parë. Mediat italiane, duke iu referuar policisë së shtetit fqinj, shkruajnë se 34-vjeçari Edison Hyqmet Malaj ishte dënuar nga gjykata shqiptare për grabitjen me armë të një banke. I riu kishte mbërritur në Itali në mënyrë klandestine në bordin e një gomoneje, vetëm disa javë pasi kishte realizuar grabitjen në qytetin bregdetar dhe jetonte në ilegalitet pa asnjë lloj dokumenti të rregullt. Policia italiane ka transportuar 34-vjeçarin Malaj në burgun Kiavari në pritje të një vendimi për ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Menjëherë pas arrestimit policia e Xhenovas të Italisë ka njoftuar për arrestimin e tij Interpol-Tiranën, pasi pas verifikimeve që janë kryer nga Interpoli në Romë, ka rezultuar se Edison Malaj ishte person i shpallur në kërkim. Ndërsa Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana informoi dje se është bërë e mundur kapja në Itali e shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Edison Hyqmet Malaj, 34 vjeç, nga Vlora. Sipas njoftimit zyrtar për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendim të datës 15 prill 2003 e ka dënuar Edison Malajn me 15 vjet heqje lirie, pasi është deklaruar fajtor për veprën penale vjedhje me armë. Ai ka rezultuar se është autori i grabitjes me armë të një banke në qytetin e Vlorës, vjedhje kjo e realizuar nga ai në vitin 2003. Si rezultat i bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol-Tiranës dhe Interpol-Romës, është bërë e mundur kapja e këtij personi në Xhenova, Itali, gjatë ditës së djeshme. Tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.