Jaku: Të hyjmë në Parlament për betimin, kemi ngelur pa lekë
Deputetët socialistë i kërkuan dje kryetarit të tyre të hyjnë në Parlament për të bërë betimin. Burime nga grupi thanë se disa nga deputetët kanë kërkuar të bëjnë betimin, sepse përndryshe atyre do t’u digjet mandati. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që duhet të marrin dhe pagesat e tyre si deputetë. Deputeti socialist Ilir Gjoni mësohet të ketë kërkuar gjetjen e një mënyre për të hyrë në Parlament. Kësaj kërkese i është përgjigjur Fatmir Xhafa, i cili ka thënë se një zgjidhje e tillë është duke u menduar, duke lënë të kuptohet se deputetët mund të hyjnë në Kuvend për të depozituar projektligjin të firmosur nga mijëra qytetarë për hetimin e zgjedhjeve. Ndërsa deputeti i Qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku, ka shprehur ankesën e tij ndaj qëndrimit për një kohë të gjatë pa rrogën e deputetit. “Nuk po e përballoj dot financiarisht këtë situatë. Dua të di kur do të hyjmë në Parlament të betohemi dhe të marrim rrogat, ose na thoni të kërkojmë ndonjë punë, sepse kështu nuk përballohet më”, është shprehur Jaku. Për të kundërshtuar Jakun është ngritur deputeti Sadri Abazi, por ka qenë Edi Rama që nuk ka dashur të thellohet më ky diskutim dhe nuk e ka lejuar Abazin të replikojë. Ndërkaq dhe deputetë të tjerë kanë diskutuar rreth shpenzimeve, që ata duhet të përballojnë për të shkuar në qarqet e tyre për organizimin e protestave. Kreu socialist i është përgjigjur shqetësimit të deputetëve. “Mos kini merak se nuk do të humbni mandatet tuaja dhe as do të hyjë njeri nga lista e PS-së për t’ju zëvendësuar. Kjo çështje do të zgjidhet para përfundimit të afatit”, është shprehur Rama. Ai ka sqaruar para deputetëve objektivin e ultimatumit dhënë qeverisë pak ditë më parë. Sipas tij: “Aksioni ynë pas mbarimit të afatit 10 ditor, nuk do të ketë më si qëllim hapjen e kutive, por zgjedhje të parakohshme”. Rama u ka kërkuar deputetëve që në 29 nëntor, të gjithë deputetët të jenë në bashkitë qendër qarku, ku bashkë me të gjithë përkrahësit tanë të festojnë çlirimin e vendit. “Njerëzit duan t’ju kenë afër pas protestës së madhe”, është shprehur Rama. Deputeti socialist Arben Malaj, i cili nuk ka folur gjatë mbledhjes së grupit, tha dje për "Panorama" se i qëndron mendimit se pjesëmarrja në parlament është e detyrueshme për të zhvilluar jetën politike opozitare, ndërsa shprehet kundër strategjisë radikalizuese të opozitës. sipas tij, kriza duhet zgjidhur sa më shpejt në parlament. Deputeti socialist Qemal Minxhozi ka kërkuar në mbledhjen e grupit që aksioni politik i opozitës duhet detajuar. "Nuk matet puna me numrin e pjesëmarrësve në miting apo antimiting", është shprehur Minxhozi.