Burgim të përjetshëm për "vrasësin" policëve të Kukësit
PRETENCA
Prokuroria kërkoi dje në gjykatë gjatë konkluzioneve të procesit, dhënien e dy dënimeve me burg për jetë për afrim Hasanajn
Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ndodhi më 23 mars të këtij viti kur pas një konflikti ai qëlloi mbi dy punonjës policie
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, lexoi dje në gjykatën përkatëse konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Afrim Hasanaj, i akuzuar për vrasjen e dy policëve Ramadan Hila e Shkëlzen Dobrusha në fshatin Shëmri të Kukësit, në mars të këtij viti, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Dënimi u kërkua paraditen e djeshme nga prokurori Ardian Nezha në sallën nr.1 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku vetë i pandehuri i ulur mes dy policëve të shoqërimit në kafazin e hekurt dëgjoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës.
Prokurori Nezha tha se i pandehuri Hasanaj pas një jave terrori të shkaktuar në fshatin Shëmri të Kukësit në orët e vona të mbrëmjes së datës 23 mars 2009 ka kryer vrasjen e dy policëve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hila me vetëdije dhe me paramendim.
Vrasja ndaj dy efektivëve blu sipas akuzës, është kryer për shkak të detyrës, të cilët një javë më parë ishin konfliktuar me të pandehurin Hasanaj, konflikt të cilin e kishin denoncuar në prokurorinë e Kukësit për akuzat e "shkatërrimit të pronës" dhe "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë". Afrim Hasanaj ishte kërkuar të shoqërohej në komisariat pas një konflikti dhe shkatërrimit të një lokali në fshatin Shëmri të Kukësit. Për këtë policia kishte ngritur një postbllok.
Konflikti me policët dhe vrasja
"Sapo u ndalën prej policëve, iu kërkua që të gjithë të dalin nga makina dhe duke i kërkuar dokumentet shoferit. Hasanaj ka dalë nga mjeti dhe menjëherë ka nisur konfliktin me efektivët e policisë, por reagime të dhunshme ka shfaqur me policin Shkëlzen Dobrusha, me të cilin kanë arritur deri konfrontimin fizik dhe përdorimin dhunës mes tyre. Gjatë sherrit janë afruar edhe kureshtarë të ndryshëm, çka i ka mundësuar largimin nga vendi i ngjarjes të pandehurit Hasanaj,- tha prokurori.
Efektivët e policisë, mësohet se më pas kallëzuan të pandehurin për veprat e "kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë" dhe "shkatërrimit të pronës me dashje".
Pas kësaj ngjarjeje, policia shpalli në kërkim Hasanajn që mundi t'i fshihet policisë deri me 23 mars kur u shfaq në Shëmri me një "Kallashnikov" në dorë në kërkim të Hilës e Dobrushës. Pasi i gjeti në një lokal afër Postës së Policisë, qëlloi drejt tyre duke i lënë të vdekur. Në ikje e sipër qëlloi edhe mbi autoveturën e bllokuar, ku paraditen e 16 marsit ndodhej me shokët e tij pas konfliktit me policët.
Vrasja, sipas akuzës, është kryer pasi dy policët Hila e Dobrusha nuk kishin pranuar të tërheqin kallëzimin ndaj tij. 24 orë pas vrasjes, u dorëzua bashkë me armën e krimit, ndërsa rrëfeu arsyen e veprimit të tij.
Për këto veprime, sipas prokurorit, i pandehuri Hasanaj ka kryer veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hilaj; "Shkatërrimit té pronës" së makinës së shokut të tij; "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve té policisë" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
Për të gjitha këto krime, prokurori kërkoi dënimin e Hasanajt me "burgim të përjetshëm". Pas pretencës, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore duke i lënë kohë mbrojtjes të përgatisë pretendimet përfundimtare ndaj akuzave.
Sherri me pronaren e lokalit
Sipas prokurorit Nezha, ngjarja zë fill me 16 mars 2009 në qendër të fshatit Shëmri të Kukësit, në një lokal të fshatit, ku i pandehuri Hasanaj bashkë me një shokun e tij kanë hyrë me forcë edhe pse lokali ishte mbyllur duke kërkuar alkool.
Pronarja e lokalit ka refuzuar t'iu shërbejë atyre me pretendimin: Nuk shërbej se lokali është i mbyllur". Kaq mjaftoi që Hasanaj pa motiv, nisi të thyente në brendësi të lokalit një pasqyrë, dy karrige, gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit, ndërsa më pas ai dhe shoku i tij u larguan.
Menjëherë pronarja e lokalit kontaktoi me drejtorin e Policisë së Qarkut të Kukësit Muharrem Furrikun, i cili për të vërtetuar pretendimet ngarkoi inspektorin e fshatit Shëmri dhe dy efektivët e policisë Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hila për të shkuar në lokalin e denoncueses. Pasi kanë verifikuar dëmet, drejtori Furriku ka urdhëruar shoqërimin e Hasanajt në Komisariatin e Policisë.
"Rreth orës 15:15 minuta, polici Hila e Dobrusha kanë hasur në automjetin tip "Benz Mercedes" 240 me ngjyrë e kuqe me targë "KR 3778 A" në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasanaj ndërsa në sediljet e tjera ishin shokët e tij.
KËRKESA E PROKURORISË:
Afrim Hasanaj:
Për akuzën e "shkatërrimit të pronës" të dënohet me 1 vit burg.
Për akuzën e "kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë së rendit publik" të dënohet me 3 tre vjet burg
Për akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" të dënohet me 5 pesë vjet burg
Për akuzën e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese"ndaj kallëzuesit të Shkëlzen Dobrushi të dënohet me 25 vjet burg.
Për akuzën e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese"ndaj kallëzuesit të Ramdan Hilës, të dënohet me 25 vjet burg
Për akuzën e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" ndaj policit Shkëlzen Dobrushi të dënohet me burgim të përjetshëm
Për akuzën e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" ndaj policit Ramadan Hila të dënohet me burgim të përjetshëm
Përfundimisht në bashkim të dënimeve i pandehuri Afrim Hasanaj të dënohet për të gjithë akuzat me burgim të përjetshëm.