E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllohet me armë 20-vjeçari, mister shkaqet

DURRËS/ Desart Islami, banor i lagjes 1, ka mbetur i plagosur, pasi një plumb i ka depërtuar në mushkëri


DURRËS - Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur në orët e mbrëmjes së djeshme në lagjen 11 të qytetit të Durrësit. Desart Islami është transportuar nga njerëz të rastit për në spital dhe menjëherë është futur në sallën e operacionit për shkak se plumbi i marrë i kishte depërtuar në mushkëri.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në afërsi të zonës së njohur si "Rotonda". Fishekzjarret nuk kanë lejuar që të dëgjohen mirë krismat, por kalimtarët kanë parë një person të plagosur, të cilin e kanë shoqëruar për në spital.


Policia e mbërritur në vendngjarje megjithatë nuk ka gjetur asnjë gëzhojë, çka ka çuar në dyshimet se për tentativën për vrasje mund të jetë përdorur pistoletë me mulli, ose qitja mund të jetë kryer nga makina dhe gëzhojat mund të kenë rënë brenda.


Burime nga vendngjarja shprehen se disa persona kanë pretenduar se kanë dëgjuar dy krisma, gjithsesi pritet dalja nga gjendja e rrezikut e të plagosurit, pasi tashmë ai konsiderohet i vetmi dëshmitar për ngjarjen e ndodhur.


Nga ana e policisë kanë vijuar kërkimet për një kohë të gjatë rrotull vendit ku u gjet 20-vjeçari, për të gjetur shenja të autorëve të krimit. Nga hetimet paraprake ende nuk ka një pistë lidhur me shkaqet e plagosjes së Desart Islamit, ndërsa pritet që sot të ketë më tepër të dhëna lidhur me konfliktin që ka çuar në tentativën për t'i marrë jetën një të riu.


Ndërkohë, mjekët janë shprehur se plumbi që ka marrë në gjoks 20-vjeçari, i ka depërtuar në mushkëri, por gjithsesi pritet që ai të dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›