Durrës, arrestohet për pengmarrje polici ushtarak
SHERRI/ Ramazan Alibejsi ka qenë duke pirë me një shtetas, me të cilin është zënë dhe më pas e ka rrahur
DURRËS - Në orët e vona të mbrëmjes, policia ka vënë në pranga 46-vjeçarin Ramazan Alibejsi, punonjës i policisë ushtarake.
Shkak i këtij arrestimi ka qenë marrja peng nga ana e tij e një personi nga qyteti i Beratit dhe banues në Peqin dhe dërgimi me forcë i tij në fshatin Xhafzotaj, si dhe keqtrajtimi. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pasditen e së mërkurës, ndërsa arrestimi është kryer në mesnatë, pas marrjes së denoncimit nga i dëmtuari 38-vjeçar.
Sipas burimeve zyrtare, 46-vjeçari, banues në fshatin Romanat, është prangosur rreth orës 23:00 të së mërkurës. Ndaj Ramazan Alibejsit është bërë denoncimi nga një shtetas.
Ky i fundit është shprehur se bashkë me policin kanë qenë duke pirë dhe në këtë kohë ka nisur një konflikt midis të dyve. Si rrjedhojë, rreth orës 15:30 në vendin e quajtur lagjja nr.4 në Durrës, në ambientet e qendrës tregtare, polici ushtarak e ka marrë me forcë 38-vjeçarin dhe e ka çuar deri në fshatin Xhafzotaj.
Atje, sipas dëshmisë së të dëmtuarit, ai ka ushtruar dhunë fizike mbi të, fakt i konfirmuar nga ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët janë shprehur se denoncuesi kishte plagë të lehta në trup. Mësohet se deri në Xhafzotaj, 38-vjeçari është dërguar me automjetin e vet. Pas ngjarjes së ndodhur, i dëmtuari ka vajtur dhe e ka denoncuar policin ushtarak, i cili pas ndalimit është vënë në pranga, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "heqjes së paligjshme të lirisë".