E Diel, 1 Nëntor 2026

Caktohen gjyqtarët e "dosjes 2" ndaj Mediut

SHORTI


Gjykata e Lartë


TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kthehet në dyert e Gjykatës së Lartë, si i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit pothuajse një muaj pasi dy të dëmtuar nga ky shpërthim depozituan paditë duke kërkuar fillimin e procedimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, tashmë i Mjedisit. Pas depozitimit të këtyre dy padive penale, Gjykata e Lartë hodhi shortet për caktimin e trupit gjykues të këtyre padive.


Për padinë penale të minorenëve të dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, Roxhers Durdaj, i përfaqësuar nga i ati i tij, gjykata caktoi pas shortit me gogla, si relatore të çështjes gjyqtaren Arjana Fullani, ndërkohë që në trupën gjykuese do të jenë Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj.


Ata do të shqyrtojnë padinë penale karshi ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të paditur nga shtetasja Alketa Hazizaj, e plagosur nga ky shpërthim. Për padinë e dytë penale, shorti në Gjykatën e Lartë caktoi relator gjyqtarin Andi Çeliku, dhe si anëtarë Ardian Nunin, Irma Balën, Evgjeni Sinoimerin dhe Evelina Qiriakon.


Disa nga këta gjyqtarë janë shprehur më parë për dosjen Mediu, si në përcaktimin e masave të sigurisë ndaj bashkë të pandehurve të dosjes së Gërdecit, ashtu edhe në lidhje me pushimin e procedimit penal për shkak të imunitetit të tij. Juristët cilësojnë si jo të ligjshme, që i njëjti gjyqtar të marrë pjesë dy herë në gjykimin ndaj një personi dhe në rastin konkret, ndaj Mediut.


Gjithsesi, Gjykata e Lartë pritet të caktojë seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin e këtyre padive penale, ku i akuzuar është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai akuzohet për "shpërdorim detyre" dhe "plagosje të rëndë me dashje", në bashkëpunim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›