E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjet: Nuk ka protestë, por incidente

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar dje zyrtarisht lidhur me situatën e krijuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Sipas institucionit që drejton burgjet në burgun e Burrelit nuk ka pasur ndonjë protestë apo revoltë, por thjesht disa incidente. "Duam të sqarojmë opinionin publik, se nuk bëhet fjalë për një revoltë apo protestë, por thjesht incidente të krijuara nga të burgosur të dënuar për krime të rënda, të cilët nuk kanë nguruar të godasin edhe punonjësit e policisë", thuhet në një njoftim për shtyp të DPB. Sipas të njëjtit burim informacioni "shkaku i këtyre incidenteve ka ardhur si pasojë e zbatimit të Rregullores së Brendshme të Burgjeve, ku Hajri Losha dhe Guri Dumani kanë refuzuar zbatimin e rregullores dhe nënshtrimit të apelit". Për këtë, është marrë masa e izolimit ndaj këtyre personave, si dhe ka filluar procedimi penal kundër tyre.

Por vetë të burgosurit kanë rikonfirmuar dje nëpërmjet telefonit se ata do të vazhdojnë protestën e tyre, për sa kohë që do të vazhdojnë të dhunohen nga punonjësit e shërbimit. Ata thanë se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për trajtim më të mirë, si dhe nga pretendimi për të takuar ministrin e Drejtësisë. Gjithsesi të paktën kërkesa e tyre për takim me ministrin duket nuk ka shanse të realizohet brenda kësaj jave, pasi Alibeaj ndodhet në një vizitë pune në Bullgari, së bashku me ministrin e Brendshëm Nishani.

Megjithëse është përpjekur të mohojë informacionet për protestën që të burgosurit kanë nisur në këtë institucion, drejtoria e përgjithshme i ka konfirmuar ato, teksa ka pranuar se drejtori i përgjithshëm i policisë së burgjeve, ka shkuar në Burrel për të negociuar me të burgosurit. "Për të qetësuar gjendjen dhe për të biseduar me të dënuarit mbi problemet konkrete dhe përmirësimin e situatës në burg, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, z.Shpëtim Baçi, ka organizuar një takim me të dënuarit në burgun e Burrelit", thuhet në njoftimin zyrtar, çka lë të kuptohet se situata në këtë institucion nuk është aq e qetë sa përpiqen ta paraqesin zyrtarët e burgjeve. Një ditë më parë nga Tirana ishin nisur në drejtim të Burrelit forca të shumta të policisë së burgjeve, të cilat kanë përforcuar shërbimet në burgun e sigurisë së lartë. Drejtoria e Burgjeve pretendon se pas takimit të Baçit situata është normalizuar dhe të burgosurit i janë kthyer aktiviteteve ditore. Por vetë të burgosurit janë shprehur të zhgënjyer nga ky takim. Ata kanë thënë se u janë përsëritur të njëjtat premtime dhe se faji për situatën e krijuar i është vënë rikonstruksionit të burgut, çka për ta nuk duket se është e mjaftueshme.

Burgu i Burrelit është në proces të një rikonstruksion të pjesshëm. Sipas DPB ndryshimi shpeshtë i qelive të të burgosurve vjen nga ky problem dhe vështirësitë që krijon rikonstruksioni i godinës. Por të burgosurit këmbëngulin se ndryshimi i qelive dhe kontrollet e vazhdueshme natën janë pjesë e terrorit që po ushtrohet ndaj tyre, për shkak të arratisjes nga ky burg të dy të burgosurve në fillim të këtij muaji. Ata vazhdojnë të këmbëngulin se nuk mund të jenë përgjegjës të gjithë për veprimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm. Në burgun e Burrelit ndodhen aktualisht 236 të dënuar dhe 42 të paraburgosur. Nga këta, 176 të dënuar duhet të mbahen në kushtet e sigurisë së lartë.

Apeli

Mbeten në burg policët

e burgut të Burrelit

Tre nga ish-punonjësit e Burgut të Burrelit që u arrestuan pas arratisjes së dy të burgosurve Fran Marashi dhe Preng Lleshi, kanë humbur dje mundësinë për të fituar lirinë. Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurisë ndaj tyre, duke i lënë ata në burg pa afat. Ish-drejtori i burgut, Eduard Brahilika, shefi i policisë së burgut, Thanas Rumnici, dhe shefi i regjimit të brendshëm të burgut, Luan Hysa, kanë kërkuar nga gjykata një masë më të butë sigurie. Duke arsyetuar kërkesën, avokatët mbrojtës kanë kërkuar nga trupi gjykues që të marrë parasysh faktin se të pandehurit nuk ishin persona me rrezikshmëri dhe se kishin qenë zyrtarë shteti. Por gjykata duket se nuk e ka marrë parasysh kërkesën e tyre dhe ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Sot do të paraqiten përpara gjykatës tre ish-punonjës të tjerë të burgut, nga 9 persona që janë arrestuar gjithsej si përgjegjës për ngjarjen e 5 prillit, ku u arratisën dy të burgosur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›